Qeveria e Kosovës ka pranuar se është duke zhvilluar bisedime me SHBA për strehimin e afganëve që prej mesit të korrikut.
Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë” duke paralajmëruar kështu arritjen e një marrëveshjeje për strehimin e afganëve.
“Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, thuhet në përgjigjen e Dalipit.
Reuters ka bërë të ditur të premten se qeveria amerikane ka diskutuar me qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë për të mbajtur përkohësisht afganët që kanë punuar me dhe për qeverinë e SHBA-ve.
Qeveria shqiptare tregoi të dielën se ka pranuar të strehojë disa qindra afganë, të cilët kanë punuar për qeverinë amerikane.
Pse kërkohet mbajtja e përkohshme e afganëve në këto vende?
Qeveria amerikane ka miratuar një program të vecantë të dhënies së vizave të përhershme të qendrimit për afganët dhe irakienët që kanë punuar për dhe me qeverinë amerikane.
Për të aplikuar për këtë program personat duhet të aplikojnë në ambasadën amerikane në Afganistan, por për shkak të situatës me talibanët ata nuk mund të presin për miratimin e vizës në Afganistan.
Këta duhet të aplikojnë në një ambasadë amerikane jashtë SHBA-ve. Ndaj qeveria amerikane i kërkon disa vendeve të treta të mbajnë përkohësisht afganët, të cilët do të aplikojnë në ambasadat e SHBA-ve në këto vende dhe do të qendrojnë deri në pritje të miratimit.
Procesi i miratimit të vizës mund të kërkojë deri një vit.
Të gjitha kostot e mbajtjes së afganëve do të mbulohen nga qeveria amerikane.