Rama emëron veten ministër të jashtëm të përkohshëm

Rama emëron veten ministër të jashtëm të përkohshëm

Kryeministri Edi Rama do të drejtojë përkohësisht Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Me anë të një njoftimi në Twitter, Rama shprehet:

“Presidenti s’e ka çdekretuar [sic] Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit.”

Vendimi i Ramës vjen pas disa ditë përplasje me Presidentin Meta, i cili refuzoi të dekretojë të propozuarin e Ramës, Gent Cakaj, si ministër të Punëve të Jashtme.

Vendimi i Ramës do të thotë se, në vend të ministrit aktual Ditmir Bushati, do të jetë ai që do të udhëheqë procesin që pritet të përfundojë me hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti.

Mesazhit të Kryeministrit Rama në rrjetet sociale i është përgjigjur edhe Presidenti Meta:

“Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE. [Boll me shtet të rremë.] Shqipëria e para!”

Vetëzgjedhja e Ramës në krye të ministrisë së Jashtme është e ngjashme me vendimin e Kryeministrit grek Alexis Tsipras pas dorëheqjes së ministrit Nikos Kotzias në tetor të vitit të kaluar. Një ndryshim i rëndësishëm mes rasteve janë ndërlikimet e mundshme kushtetuese në rastin e Shqipërisë, pasi Presidenti Meta nuk e dekretoi shkarkimin e ministrit Bushati dhe Gjykata Kushtetuese në Shqipëri nuk është funksionale për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kompetencave midis institucionit të Presidentit dhe Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, gjasat janë që kjo gjykatë nuk do të jetë funksionale brenda afatit gjashtëmujor, që parashikon ligji organik i saj, për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshjeje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>