Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish Bashkimin Europian ‘për lënien jashtë loje’ të Ballkanit Perëndimor në shpërndarjen e vaksinave anti-Covid.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama tha se nuk hedh poshtë ndihmën e BE-së në shumë fusha të tjera. Por ai theksoi se nuk mund të heshttë para kësaj padrejtësie:
“Ambasada s’ka pse mërzitet. BE të vendoste vaksina për Shqipërinë, asgjë nuk i kushtonte. U lamë thjesht loje.
Duhet të themi faleminderit që na latë jashtë apo të mos flasim fare?!”
Rama theksoi se nuk do të rrijë gojëmbyllur për këtë çështje:
“Ne nuk do rrimë me gojën mbyllur për fakte të qarta. S’jam kryeministër i një vendi të BE-së, por jam europian. Jam më francez se vetë francezët.”
Rama komentoi dhe letrën e ambasadës franceze, e cila hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit se Franca mban vaksina stok, por nuk ia jep ato vendeve si Shqipëria:
“Pse duhej të mërzitej ambasada? Unë thashë vetëm një fakt, nuk u kushtonte asgjë që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët e rajonit.”
Po ashtu, Rama sulmoi dhe opozitën, e cila kritikoi deklaratat e Ramës kundër BE-së:
“Turp për ata që mbrojnë BE-në nga unë. Opozita tregon karakterin e dobët. Kur opozita ka qenë në pushtet, ka folur me zë të ulët përpara çdokujt që flet me gjuhë të huaj.”