Kryeministri Edi Rama do të nisë të premten, një vizitë zyrtare në Greqi.
Gazetarja greke Alexandra Voudori ka njoftuar se Rama do të takohet me kryeministrin grek Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Dendias.
Pritet që një prej çështjeve kryesore të bisedimeve të jetë marrëveshja për detin.
Pak ditë më parë, Rama pati dhe një bisedë telefonike me ministrin Dendias, por nuk u njoftua se për çfarë biseduan dy liderët.
Vizita e Ramës në Greqi vjen menjëherë pas asaj në Turqi, ku firmosi, ndër të tjera, me presidentin Erdogan dhe marrëveshjen për ngritjen e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë e Turqisë.
Çështja e detit
Parlamenti grek pritet të miratojë në seancën e tij të parë, në 11 janar, dekretin e miratuar nga Këshilli i Shtetit grek për zgjerimin e ujërave territorial në detin Jon me 12 milje.
Mediat greke shkruan se zgjerimi do të jetë nga pika më veriore e Rajonit të Ishujve Jon në Kepin Tainaro.
Po ashtu, media në Greqi shkruajnë se ky dekret shërben si sinjal për Turqinë.
Në 25 dhjetor, Këshilli i Shtetit grek miratoi dekretin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje.
Kjo i jep të drejtë shtetit grek të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.
Ky vendim vjen pas dy muajsh ku u njoftua se marrëveshja e detit mes Shqipërisë e Greqisë do të zgjidhej nga drejtësia ndërkombëtare.
Më 20 tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.
Ndërsa disa ditë më parë, Rama theksoi se ky dekret i Greqisë nuk ka lidhje me çështjen ende të pazgjidhur mes Shqipërisë e Greqisë.