Raporti i Arta Markut për uljen e krimit dhe korrupsionit bie në kundërshtim me raportin e DASH

Nga Alice Elizabeth Taylor
Raporti i Arta Markut për uljen e krimit dhe korrupsionit bie në kundërshtim me raportin e DASH

Rastet e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë dhe krimet e lidhura me drogën u ulën ndjeshëm gjatë vitit 2018, sipas Prokurorres së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Këto ishin gjetjet e raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2018, prezantuar nga Arta Marku në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

Marku deklaroi se Vlora është qyteti  me nivelin më të lartë të kriminalitetit. Por “punë e mirë” është bërë gjatë vitit 2018 në luftën kundër kriminalitetit dhe trafikimit të drogës si dhe ulja me 37 përqind e rasteve të korrupsionit.

Përfundimet e raportit të Prokurorisë bien ndesh me gjetjet e raporti të Departamentit të Shtetit Amerikan publikuar në mars të 2019.

Raporti i fundit i DASH paraqet një tablo shumë të ndryshme, duke kritikuar ashpër qeverinë për korrupsionin, problemet me shit-blerjen e votave në zgjedhjeve, mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë, rritjen e aktivitetin të krimit të organizuar në vend, si dhe mosrespetimin e të drejtave të njeriut gjatë 2018-tës. Madje, raporti theksoi se mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë mbetet një çështje serioze dhe hetimi i zyrtarëve ishte sporadikë dhe jo i qendrueshëm — shpesh zyrtarët, politikanët dhe gjyqtarët arrijnë te shmangin dënimin penal.

Disa pika të rëndësishme të raportit të Departamentit të Shtetit që duhen marrë në konsideratë, veçanërisht nën dritën e deklaratave të reja të Markut janë:

“Ligji parashikon ndëshkime penale për korrupsionin e zyrtarëve publikë, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive dhe zyrtarët shpesh janë të angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

“Ndërsa prokurorët kishin përparim të konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të zyrtarëve publikë të nivelit të ulët, duke përfshirë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, ndjekja penale e krimeve të nivelit të lartë mbeti e rrallë për shkak të frikës së prokurorëve nga ndëshkimi, mungesa e përgjithshme e burimeve dhe korrupsioni brenda vetë kësaj dege.”

Përveç kësaj, në një raport të veçantë mbi krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës në vitin 2018, Departamenti i Shtetit raportoi një situatë gjithnjë e më të rënduar. Ata raportuan se trafikimi i drogës dhe rrjetet e krimit të organizuar në Shqipëri ishin rritur, duke e kthyer Shqipërinë në vend prodhimi për kanabisin dhe vend tranzit për trafikimin e kokainës dhe heroinës nga Amerika Jugut, Evropa dhe Lindja e Mesme drejt Evropës.

Raporti gjithashtu deklaroi se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë kryesisht në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar”.

Gjithashtu vërejti se “nuk ka progres të rëndësishëm” drejt luftimit të pastrimit të parave, korrupsionit dhe korrigjimit të “institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”.

Duket se Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme janë duke folur për vende krejtësisht të ndryshme, ose njëri prej tyre është pak më i kursyer me të vërtetën.

Një raport i kohëve të fundit nga Iniciativa Globale zbuloi se jo vetëm Vlora është një vend ku mbizotërojnë vrasjet mes bandash për kontrollin e trafikut të drogës dhe për prishje të pazareve të drogës — por edhe në shumë qytete të vendit bandat veprojnë të qeta, madje “ka bashkëpunim midis kriminelëve dhe policisë dhe disa prej bandave gëzojnë mbrojtje nga disa politikanë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>