Reforma në drejtësi—pse kandidojnë të njëjtët magjistratë për çdo pozicion?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Reforma në drejtësi—pse kandidojnë të njëjtët magjistratë për çdo pozicion?

Aplikimet për në institucionet e reja të sistemit të drejtësisë po bëhen gjithnjë e më tepër një déjà vu e vazhdueshme.

Kandidatët që janë refuzuar për një post, kandidojnë për poste të tjera, duke provuar shanset e tyre në institucione dhe pozicione të ndryshme. Duket që mendojnë se në një pikë do t’u vijë rradha edhe atyre.

Kjo sindromë déjà vu është rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës si po zbatohet reforma në drejtësi.

Duke shkatërruar krejtësisht insitucionet më të larta të sistemit të drejtësisë dhe duke i ngritur në të njëjtën kohë paralelisht të gjitha institucionet e reja, reforma në drejtësi ëshë ballafaquar me mungesë të madhe të kandidatëve të përshtatshëm dhe të kualifikuar.

Si rezultat, ata që mendojnë se janë të kualifikuar mjaftueshëm dhe kanë kaluar, ose i kanë shpëtuar vetingut, mendojnë se mund të aplikojnë për çdo pozicion të lirë.

Ky problem është vërejtur dhe në një raport të fundit të Institutit të Studimeve Politike, në të cilin shkruhej:

“[P]othuajse të njëjtit emra konkurrojnë për më shumë se një post, madje në rastin e vendit për në Gjykatën Kushtetuese, konkurrojnë njëherësh për 3-4 vende vakante, përfshirë edhe për gjyqtar me mandat të plotë ose të pjesshëm në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese konkurrojnë edhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, madje ka raste edhe për Gjykatën e Lartë apo për Gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut.”

Shembulli i fundit ishte ai i prokurorit Vladimir Mara, i cili kandidoi për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

I njëjti këshill e ka refuzuar më parë Marën si kandidat për në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK). Nëse Mara do të zgjidhet në KLP, ai do të jetë, në mënyrë paradoksale, përgjegjës për ngritjen e vetë institucionit që ai ishte i pakualifikuar për të qenë anëtar.

Një rast, ndoshta edhe më i çuditshëm, po ndodh me vakancën në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Parlamenti më 21 gusht 2019, për të plotësuar vendin e ish-gjyqtarit Fatos Lulo.

Për këtë vend garon Regleta Panajoti, e cila, gjithashtu, kandidon për një tjetër vend bosh në të njëjtën gjykatë, dhe Klodian Rado, eksperti juridik EURALIUS-it, i cili më parë është refuzuar dy herë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) si kandidat po për në Gjykatën Kushtetuese.

Rado u skualifikua si kandidat pasi nuk kishte prova të mjaftueshme se kishte punuar 15 vjet si jurist, duke qenë se ai ka nisur shkollën e Magjistraturës në tetor 2004. Në dallim nga kandidatët e tjerë të skualifikuar, Rado nuk e apeloi në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e përjashtimit të tij nga gara.

Pra, si mundet që Rado tenton të aplikonjë sërish për një pozicion për të cilin qartazi është i pakualifikuar?

Jo vetëm që ai po harxhon kohën e KED-it duke u përpjekur t’i mbushë  mendjen se vitet si student në Shkollën e Magjistraturës mund të llogariten si plotësim i kriterit “15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, professor, pedagog ose jurist i lartë në administratën publike”, por Rado po krijon, gjithashtu, përshtypjen se ai e di që në një moment të caktuar e ka të sigurt që do të marrë një vend pune në instituciont e drejtësisë.

Kjo gjë minon besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Shfaqja e vazhdueshme e të njëjtëve kandidatë në çdo vend bosh në organet më të larta të sistemit të drejtësisë po krijon jo vetëm një ndjenjë lodhjeje, por tregon dhe se në vend nuk ka mjaftueshëm gjyqtarë dhe prokurorë (pothuajse) të kualifikuar për të mbushur vendet e mbetura bosh në majat e sistemit të drejtësisë.

Kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e gjyqësorit dhe shtetin e së drejtës, ky është një aspekt tjetër për të cilin duhet të shqetësohemi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>