Sipas artikullit të publikuar dje nga Zëri i Amerikës, raporti i Drejtorisë Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali për vitin 2016, tregon rritje të trafikut të marijuanës mes Shqipërisë dhe Italisë. Më tej në artikull shkruhet se:
Në vitin 2016 u rritën ndjeshëm sekuestrimet e marijuanës me 41.6 ton apo gati 347.15 përqind më shumë në krahasim me vitin 2015. Sipas raportit, rritja është në kontrast absolut me vitin e shkuar ku kishte më pak aktivitet në trafikun e narkotikëve.
Të dhënat e antidrogës italiane flasin për një bashkëpunim të grupeve të krimit të organizuar, shqiptare dhe italiane, të cilat shfrytëzojnë pozitën e veçantë gjeografike të rajonit.
Sipas të dhënave të antidrogës italiane, shtetasit shqiptarë zinin vendin e dytë për nga numri i arrestimeve dhe rasteve të dërguara në gjykata pas marokenëve përgjatë vitit 2016.
Sipas raportit, ky rajon është në qendër të rrugëve kryesore të Mesdheut, në veçanti Ballkanit, ku është përqendruar, kohët e fundit, trafiku i marijuanës nga Shqipëria.
Pjesa më e madhe e marijuanës u dërgua përgjatë vitit 2016 nga Shqipëria me gomone nga rajoni i Vlorës apo përmes automjeteve kryesisht nga Porti i Durrësit.
Më 6 qershor, raporti për lëndët narkotike të Qendrës Evropiane të Monitorimit të Lëndëve Narkotike shkroi se në Shqipëri është shënuar rritje e prodhimit dhe trafikimit të bimës dhe vajit të kanabisit.
“Raportet e kohëve të fundit tregojnë ndryshim të rrugëve të trafikimit të kanabisit si dhe rritje të prodhimit dhe trafikimit të bimës dhe vajit të kanabisit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri. Ky ndryshim vjen kryesisht si pasojë e rritjes së prodhimit të kanabisit në këto shtete”, — shkruhet në raport.