Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Hoyt Brian Yee, takoi sot kryeministrin Rama, si pjesë e turneut të tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizita e tij do të jetë një përpjekje tjetër e ndërkombëtarëve për të arritur në një “kompromis” midis qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe opozitës të udhëhequr nga kreu i PD Lulzim Basha.
Zoti Yee, pas takimeve dhe me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe kreun e opozitës Basha, do të mbajë një konferencë për shtyp përpara gazetarëve.
Ai pritet gjithashtu të takohet me tre “disidentë” të Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, në atë që mund të interpretohet si një përpjekje tjetër e ndërkombëtareve për të “ndarë” opozitën, siç u përpoq më herët treshja e ambasadores së BE-së Romana Vlahutin, ambasadori i SHBA Donald Lu dhe ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt.
Pak ditë më parë, gjatë vizitës në Mal të Zi, Zoti Yee u shpreh kundër bojkotit parlamentar që PD ka nisur që nga 18 shkurti:
Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, nderimi i takon njeriut që është në të vërtetë në arenë, Nuk është kritizeri ai që ka rëndësi; as ai që tregon si rrëzohet njeriu i fortë, apo ai që i tregon atij që bën vepra se si duhet t’i bëjë më mirë.