Vaksina kundër COVID-19 e kompanisë Moderna është efikase edhe kundër varianteve të reja të koronavirusit që janë shfaqur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut, thonë studiuesit nga kompania farmaceutike amerikane.
Testet paraprake të zhvilluara nga kompania tregojnë se antitrupat që krijon vaksina në organzëm arrijnë që të luftojnë edhe variantet e reja të koronavirusit të cilat cilësohen më të transmetueshëm.
Megjithatë studime të tjera nevojiten për të konfirmuar këto pretendime.
Variantet e reja të koronavirusit janë përhapur shpejt në disa vende. Së fundi edhe Serbia njoftoi se kishte regjistruar raste të infektuara me versionin britanik ndërsa autoritetet shqiptare thonë se ende nuk kemi rastin e parë në vendin tonë.
Ekspertët mendojnë se varianti i përhapur në Britani, i cili u shfaq në shtator, mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Javën e kaluar, kryeministri Boris Jonson tha se disa të dhëna sugjerojnë se ai mund të jetë edhe më shumë vdekjeprurës.
Vaksinat aktuale u krijuan rreth varianteve të mëparshëm të koronavirusit, por shkencëtarët besojnë se ato duhet të funksionojnë edhe kundër varianteve të reja.
Kompanina Pfizer ka deklaruar më herët se studimet tregojnë se vaksina e saj është efikase edhe ndaj varianteve të rinj të koronavirusit.
Vaksina e kompanisë Moderna është miratuar për përdorim në SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ajo është gjithashtu pjesë e portofolit të vaksinave të COVAX, pjesë e së cilit është edhe Shqipëria.
Vaksina funksionon në një mënyrë të ngjashme me atë Pfizer. Ato injektojnë në trup vetëm një pjesë të ADN-së së koronavirusit dhe jo një version të dobësuar ose të vdekur të tij.
Kjo teknologji është përdorur për herë të parë për njerëzit por kursen më shumë kohë dhe është më e sigurt.