Prokurori i Apelit Tiranë Luan Kaloçi do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.
Luan Kaloçi është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, prokurori Kaloçi në vitin 2003 zotëronte pasuri në vlerën e 10 milionë lekëve. Kjo pasuri përbëhej nga një apartament në Tiranë me vlerë 4,2 milionë lekë dhe një dyqan me vlerë 5,8 milionë lekë. Si burim të ardhurash për dyqanin prokurori Kaloçi ka deklaruar të ardhura të përfituara nga bastet sportive. Më pas Kaloçi e ka lëshuar me qira këtë dyqan dhe të ardhurat nga qira zënë rreth 15 për qind të të ardhurave totale të familjes Kaloçi.
Deri më tani, ky është rasti i pari që një gjykatës a prokuror që përballet me vetingun justifikon pasurinë me të ardhura të përfituara nga lojërat e fatit.
Në fund të vitit 2017, prokurori Kaloçi deklaron se ka pasuri në vlerën e 24 milionë lekëve. Luan Kaloçi ka blerë një apartament të ri me sipërfaqe 125 metra katrorë në Tiranë dhe një garazh. Për të blerë këto pasuri, Kaloçi ka përdorur një kredi 55 mijë euroshe, kursimet familjare ndër vite, si dhe kursime në cash në vlerën e 4,5 milionë lekëve.
Nga analiza e pasurisë së BIRN, përveç blerjes së dyqanit me të ardhura nga lojërat e fatit, ka paqartësi dhe për një huamarrje prej 10 mijë dollarësh të marrë në viti 2009 nga motra e bashkëshortes së Kaloçit. Prokurori ka marrë para hua dhe pse një vit më parë ka deklaruar se ka 1,6 milionë kursime cash. Kjo hua është shlyer brenda vitit.
Një tjetër “flamur i kuq” në deklaratën e pasurisë së Kaloçit konsiderohet dhe vlera e lartë e parave cash që mban prokurori. në fund të vitit 2017, Luan Kaloçi ka deklaruar likuiditete në cash në vlerën e 4,5 milionë lekëve.