Shqipëria do të presë 4 mijë shtetas afganë, ka deklaruar kryeministri Rama gjatë një interviste në CNN.
Rama foli me gazetaren Bianna Golodryga dhe njoftoi se pritet që fillimisht në Shqipëri të vijnë 2 mijë afganë ndërsa dy mijë të tjerë do të vijnë më vonë.
“2000 që janë listuar dhe 2000 të tjerë që ne po punojmë për t’i pritur, do jenë rreth 4000 mijë”, tha Rama.
Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se afganët nuk do të strehohen në kampe të posaçme për ta pasi sipas tij kjo do të ishte çnjerëzore.
Kur njoftoi vendimin e qeverisë për të pranuar kërkesën për strehimin e afganëve, Rama tha se do të vijnë disa qindra.
Më vonë kryeministri tha për gazetën spanjolle El Periodico se fillimisht do të vijnë 1 mijë afganë.
Grupi i parë i emigrantëve pritet të vendosen në dy godina në Qytetin Studentin. Vende të tjera strehimi do të jenë disa hotele në Durrës dhe një hotel në Berat.
Kosova pritet ndërkohë të strehojë 2 mijë shtetas afganë sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.