Kriza politike, ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka dëmtuar sundimin e ligjit

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kriza politike, ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka dëmtuar sundimin e ligjit

Nga sa është bërë publike në media, negociatat mes PS dhe PD kanë përfunduar duke mos dhënë asnjë zgjidhje konkrete për krizën politike. Kjo mosarritje ndoshta është për të mirën e çdokujt. Nuk e them këtë sepse nuk dua “zgjidhje”, por sepse vetë procesi i negocimit po dëmton atë pak sundim të ligjit që ka mbetur në Shqipëri.

As Rama dhe as Basha nuk kanë ndonjë nxitje të fortë për të pranuar kompromisin, të paktën jo atë që ofron McAllister.

Nga njëra anë, Kryeministri Rama është gati të fitojë një shumicë pothuaj absolute në Parlament. Për këtë, Zoti Rama ka marrë bekimin e BE-së (falë Johannes Hahn) dhe SHBA-ve (falë Hoyt Brian Yee). Edhe nëse Lëvizja Socialiste për Integrim arrin të fitojë dyfishin e mandateve (në 2013-ën ka fituar 16 mandate), Rama sërish do të mund të qeverisë vendin de fakto si autokrat.

Lulzim Basha, nga ana tjetër, nuk ka ende gati infrastrukturën partiake për të nisur fushatën zgjedhore: nuk ka ende program politik, struktura të organizuara dhe ka në dispozicion shumë më pak fonde se sa Partia Socialiste.  Edhe nëse shtyhet data e zgjedhjeve dhe ndryshohet Kodi Zgjedhor, Partia Demokratike sërish do të humbiste zgjedhjet. Më pas në korrik, me mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e PD, karriera e Bashës me siguri do të përfundonte.

E vetmja gjë që ishte e pranueshme për Bashën ishte rrëzimi i Ramës si kryeministër, duke shpresuar se PS do të shkatërrohej vetë nga brenda, me një duzinë “Brutësh” të gatshëm për ta goditur Ramën në shpinë. Pranimi i çdo gjëje më pak shkakton vetëvrasjen politike të Bashës.

Por këmbëngulja e vazhdueshme e ndërkombëtarëve , pothuaj të deklaruar hapur në krah të Ramës — i cili është shkaktari për kanabizimin e vendit, futjen e kriminelëve në Kuvend dhe vënien e tyre në krye të bashkive, ndaj nuk duhet të shihej as si figurë “e besueshme” dhe  as “e qëndrueshme” — i ka shkaktuar më shumë dëm Shqipërisë se sa vetë politikanët shqiptarë ndër vite.

Ne e dini fare qartë se politikanët shqiptarë nuk kanë patur ndonjëherë respekt për ligjin. Tashmë e dimë që as për ndërkombëtarët, ligji nuk ka shumë rëndësi.

Kodi Zgjedhor, për mirë apo për keq, përmban një numër afatesh të caktuara qartë me ligj. Me vendosjen e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, procedurat në vazhdim janë të përcaktuara shumë qartë në kod. Ky kod, me gjithë ndryshimet e herëpashershme, është votuar dhe miratuar nga Kuvendi. Në kod nuk përcaktohen “afate për negociata”. Nëse dëshiron të marrësh pjesë në zgjedhje, mirë. Nëse dëshiron t’i bojkotosh ato, sërish mirë.

I gjithë procesi i negociatave, i nxitur dhe i fryrë nga dëshira e ndërkombëtarëve nga SHBA dhe BE — Vlahutin, Lu, Borchardt, Yee, McAllister, Fleckenstein — për të “llastuar” Ramën e Bashën, ka krijuar një situatë të pasigurisë ligjore dhe paqëndrueshmërisë që në terma afatgjatë është shumë më e dëmshme për zgjedhjet sesa bojkoti i opozitës. Duke i dhënë rëndësi tekave të Ramës, Metës e Bashës, ndërkombëtarët i kanë treguar shqiptarëve se pushteti është më i rëndësishëm se ligji, qëndrueshmëria më e rëndësishme se liria dhe se kompromisi është më i dëshirueshëm se ndershmëria dhe drejtësia.

Disa herë me radhë, ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje opozitës “të kthehet në Parlament” e “t’i japë fund bojkotit”. Këto kërkesa, të ligjshme, janë gjithçka që ata duhet të kishin bërë. Por në vend të kësaj, ndërkombëtarët i kanë treguar shqiptarëve që themelet e sundimit të ligjit  mund të “negociohen” jashtë parlamentit. Me këto veprime, ata e kanë dëmtuar besimin në demokraci dhe tek sundimi i ligjit më shumë se sa vetë Rama, Basha e Meta kanë mundur të bëjnë gjithë këto vite.

Në vend që të jenë kujdestarë të demokracisë dhe sundimit të ligjit, misionet e ndryshme ndërkombëtare në Tiranë kanë treguar se janë të gatshëm të negociojnë me kriminelë, se ata të preferojnë një kriminel mbi tjetrin për hir të interesave të tyre të ngushta dhe se ligji nuk ka më rëndësi për sa kohë vetë ndërkombëtarët janë pjesë e tavolinës së negociatave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>