Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish udhëheqësit kosovarë për qasjen kundër minishengenit duke i cilësuar ata si ushtrues të një “politike provinciale”.
Kryeministri u shpreh kështu gjatë një interviste për gazetarin e Top-Channel, Muhamed Veliu, i cili po e pyeste rreth takimit që ai pati sot me Kancelaren Angela Merkel.
Rama u shpreh se minishengeni mbështetet nga Kancelarja. Ai argumentoi se mbështetja vinte për faktin se minishengeni ka synime gjithëpërfshirëse dhe sipas tij është “jetësim i nismave të dakortësuara gjatë procesit të Berlinit”.
Kryeministri tha se qëndrimet kundër të udhëheqësve kosovarë:
“[…] po e dëmtojnë Kosovën, po e largojnë atë nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj të saj dhe po ja ulin në mënyrë krejt të padrejtë reputacionin e madh që Kosova fitoi pas marrjes së të drejtës për të qenë një shtet i lirë dhe sovran”.
Ai paralelizoi negociatat e ambasadorit Grenell për të nxitur lëvizjen e lirë mes Serbisë dhe Kosovës me përpjekjet e tij për minishengen dhe e përshkroi si reagim hipokrit atë që udhëheqësit kosovarë kanë pasur kundrejt tij:
“[marrëveshja e negociuar nga Grenell] u përshëndet me të drejtë nga ata [udhëheqësit kosovarë], të cilët ndërkohë nuk lenë baltë pa hedhur mbi një proces që e kam nxitur unë dhe që shkon në të njëjtin drejtim. Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e diskutimeve të Kancelares, që është për të ardhur keq madje për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb.”
Presidenti i Kosovës Thaçi dhe Kryeministri në largim, Haradinaj kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimet për minishengenin. Haradinaj nga ana tjetër e ka akuzuar Kryeministrin Rama si lobues pro ndarjes së Kosovës. Për këto akuza Rama ngriti padi për shpifje.
Kryeministri Rama takoi sot Kancelaren Merkel, takim gjatë të cilit ai tha se kishte diskutuar edhe rreth konferencës së donatorëve, çështjen e negociatave dhe luftës kundër korrupsionit.
Rama tha se raporti final për kostot që nevojiten per rindërtimin nga pasojat e tërmetit do të publikohet më 4 shkurt dhe se në konferencën e donatorëve ishte rënë dakord që të ftoheshin edhe vende nga jashtë BE-së.