Kryebashkiaku Erion Veliaj përsëriti, dje në mbrëmje, se Teatri Kombëtar do të shembet së shpejti, pavarësisht rezistencës së aktorëve e aktivistëve për ta mbrojtur atë.
Duke biseduar me gazetarin Sokol Balla në Real Story, Veliaj u shpreh:
“Teatri do të shembet pasi ne të kemi dhënë lejen për ndërtimin e teatrit të ri. Unë jam mësuar me këtë histori. Ky qytet ka ecur përpara kur ata që kanë drejtuar, kanë pasur guxim për vendime të rëndësishme.”
Disa javë më parë, kryebashkiaku kishte pohuar se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar do të fillonte në fillim të 2020-ës, por kjo gjë nuk ndodhi. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion mbi tenderin e koncesionit të zhvilluar në shtator—Bashkia nuk ka njoftuar as konkuruesit, as ofertat dhe as fituesin e këtij tenderi.
E vetmja gjë që Veliaj përsërit në mënyrë të vazhdueshme është se ai do të shembë teatrin për t’ja dhënë tokën publike ndërtuesve privatë.
Nga ana tjetër, qytetarë dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë të vendosur për ta mbrojtur teatrin deri në fund, edhe përmes rezistencës fizike.
Prej 2 vitesh Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po proteston çdo natë kundër shembjes së teatrit dhe dhënies së tokës publike kompanisë private. Ata janë zotuar se çdo tentativë e bashkisë për të shembur teatrin do të hasë në rezistencën e tyre.
Nismës së tyre për të mbrojtur deri në fund teatrin, i është bashkuar dhe Partia Demokratike, e cila ka nënshkruar një marrëveshje publike me ATM-në, ku zotimi kryesor është të mos lejohet shembja e kompleksit teatror.
Tenderi për Teatrin Kombëtar
I gjithë procesi i tenderimit të Teatrit Kombëtar po kalon në mungesë të plotë transparence dhe informacioni për qytetarët.
Sikurse dihet qeveria po e bën zhvillimin e zonës me anë të një ligji të posaçëm, miratuar në dhjetor 2018, i cili, sikurse kemi argumentuar më parë dhunon Kushtetutën dhe një sërë ligjesh organike.
Në fund të korrikut 2019, Bashkia e Tiranës hapi tenderin për ndërtimin e teatrit. Kompanitë kishin afat deri në shtator 2019 për të dorëzuar ofertat e tyre.
Që nga shtatori e deri më tani, rreth 6 muaj më vonë, asgjë nuk është bërë e qartë për publikun: kush ishin pjesëmarrësit, klasifikimi i ofertave apo fituesi i tenderit.
Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit i kanë kërkuar disa herë Bashkisë Tiranë informacion zyrtar për vendimmarrjen dhe procedurat e ndërmarra deri më tani për projektin e teatrit, por ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Siç Exit News ka shkruar dhe më parë, procedura e sajuar nga qeveria është e paprecedentë dhe e paparashikuar në asnjë ligj apo standard publik— jashtë kuadrit ligjor ekzistues të prokurimeve publike dhe koncesioneve, me procedura krejt të paqarta, dhe ndërtime objektesh private dhe publike në të njejtin propozim—termat e referencës së shpallura janë të ngatërruara, të paqarta dhe krejtësisht kufizuese për konkurencën.
Mungesa e transparencës duket se përforcon edhe më shumë dyshimet se tenderi është fiktiv dhe me fitues të paracaktuar, pasi kriteret pë te zgjedhur fituesin paracaktojnë se vetëm dy kompani mund ta fitojnë tenderin: Alb Star shpk dhe Fusha shpk, kjo e fundit është kompania për të cilën u hartua fillimisht Ligji Special për Teatrin Kombëtar.