Presidenca ka paralajmëruar edhe një herë se do të padisë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranë, në rast se qeveria dhe bashkia nuk tërhiqen.
I ftuar në emisionin e gazetares Ilva Tare, Këshilltari Ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj tha se nëse qeveria nuk tërhiqet, brenda javës presidenti do të dërgojë padi në Gjykatën Kushtetuese:
“Presidenti po pret reagimin e institucioneve përkatëse pra të atyre që trumpetojnë prishjen e Teatrit Kombëtar.
Nëse jo, brenda kësaj javë një padi e re do t’i atashohet asaj tjetrës, e cila nuk mund të pushohet si gjykim sepse sipas ligjit vazhdon të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese pasi çësthja paraqet interes të lartë publik.”
Më 25 korrik 2019, Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese padinë e parë kundër qeverisë dhe bashkisë dhe kërkoi shpalljen si antikushtetues të ligji për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Për shkak të mosegzistencës së Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit vendosi ta marrë çështjen në shqyrtim vetëm në fund të vitin 2019.
Më 30 dhjetor 2019, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese i kërkoi Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë e Tiranës të japin argumentet e tyre për se kanë hartuar dhe miratuar këtë ligj special. Çështja nuk është shqyrtuar ende në GJK.
Për këtë shkak, Presidenti Meta deklaroi më 9 maj, se marrja e vendimit nga qeveria për transferimin e truallit të teatrit, rëndon pozitën antikushtetuese të qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, të cila po ndërhyjnë në një çështje që pritet të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese.
Në një komentim zyrtar për vendimin e qeverisë, presidenti shkroi se qeveria po përdor një procedurë ekstra-ligjore dhe anti-kushtetuese për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.