Ka disa ditë që numri 2 i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka rihedhur tezën e diskredituar të financimit rus për PD-në, duke sulmuar qëndrimet e saj politike.
Në pohimet e tij të përditshme, Balla përsërit se PD-ja është financuar nga dy oligarkë rusë të afërt me Putinin, në disa raste shprehet se njëri prej tyre është familjar i Putinit. Këtë pohim e pason zakonisht me pretendimin tjetër të tij se për këtë çështje po hetohet në SHBA dhe në Shqipëri.
Këtë tezë Balla e përsërit në mënyrë të vazhdueshme edhe në takimet me të huajt, duke theksuar në to rrezikun e madh rus për Shqipërinë.
Si shembull, dje, në emisionin Dritare të Rudina Xhungës, Balla u shpreh:
Lulzim Basha në fushatën e 2017-ës mori një milionë dollarë nga dy oligarkë, njëri familjar i Vladimir Putinit, dhe këto para i përdori për të afektuar përmes lobingut. Kryetari i opozitës Basha është në hetim në Shqipëri dhe në SHBA për këtë çështje.
Kjo është një fushatë e qartë keqinformimi dhe shpifjesh për të sulmuar kundërshtarin.
Kryetari i shumicës parlamentare socialiste ka qenë përherë politikani kryesor që ka mbajtur gjallë propagandën me ndërhyrje ruse në Shqipëri.
Pak javë më parë, Balla përsëriti disa herë në publik pretendimin se protestat antiqeveri në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi janë të nxitura dhe të koordinuara nga Rusia për të destabilizuar rajonin.
Kulmin këto pretendime të Ballës e arritën kur, duke përfituar nga rastësia e zhvillimit të protestave antiqeveri në të njëjtën ditë në Tiranë dhe Serbi, ai u shpreh kështu në Twitter, në gjuhën angleze:
Çfarë rastësie sot ? Në të njëjtën orë 18.00 u organizuan protesta në Tiranë, Beograd, & Mal të Zi (disa qytete). Në Shqipëri është e qartë se protestat organizohen nga disa politikanë të korruptuar kundër Reformës në Drejtësi, që përpiqen të dëmtojnë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë.
Kjo tezë e tij u diskreditua menjëherë, për faktin se Rusia nuk ka asnjë interest të rrëzojë aleatin e saj më të madh në Ballkan, Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Vuçiçi është në të vërtetë një nga njerëzit më të afërt të Putinit, i cili e ka hapur Serbinë për çdo lloj bashkëpunimi me Rusinë, nga ai në fushën e shërbimeve sekrete dhe armatimeve, deri te investimet ruse në Serbi.
Para disa muaj, Vuçiçi i rezervoi Putinit një pritje madhështore në Beograd, gjatë së cilës u pa qartë përunjësia e tij ndaj Putinit.
Pasi kjo linjë propagande nuk eci, Balla vendosi të rihedhë në qarkullim propagandën me financimin rus të lobimit të Partisë Demorkatike pranë administratës së Presidentit Tramp.
Megjithatë, tashmë është fakt i provuar nga hetimet e prokurorisë shqiptare se kjo “lidhje ruse” nuk ekziston.
Sikurse Exit.al ka zbuluar në një hulumtim të mëparshëm, e gjithë “dosja ruse” e lobimit shqiptar është sajuar nga ekipi i komunikimit të Kryeministrit Rama.
Në një lëvizje mjeshtërore, ekipi i Ramës arriti të botonte një artikull të mbushur me “fakte” false, të përgatitura prej tij, në median e ekstremit të majtë amerikan Mother Jones, e cila financohet nga miliarderi amerikan Xhorxh Soros, njeri shumë i afërt i Kryeministrit Rama.
Duhet theksuar se David Korni, gazetari i Mother Jones-it që shkroi artikullin për lobimin rus të PD-së, është gazetari që botoi artikullin e parë në SHBA me akuzat false për lidhjet e Trampit me Putinin.
Po David Korni është një nga tre personat që dorëzoi në FBI, bashkë me denoncimin kundër Presidentit Tramp, edhe dosjen e diskredituar Steel, e cila u bë shkak për nisjen e hetimeve kundër Trampit.
Dosja u vërtetua nga hetimi i Mallerit se ishe sajuar nga Hillari Klintoni, rivalja politike e Trampit, dhe u përdor nga segmente të FBI-së dhe Departamentit të Shtetit për të rrëzuar Presidentin Tramp pas zgjedhjes.
David Korni, sikurse dhe vetë Kristofer Stilli janë tashmë nën pyetje nga FBI-ja, e cila ka emëruar një prokuror për të hetuar origjinën e konspiracionit të adminsitratës për të rrëzuar Presidentin Tramp përmes akuzave të rreme për lidhje me Rusinë.
Artikullin e Mother Jones-it propaganda e Edi Ramës e përdori pastaj si armë kundër PD-së, duke keqinformuar dhe manipuluar publikun shqiptar për muaj të tërë.
Aleat i Edi Ramës në këtë përpjekje u bë ambasadori i atëhershëm amerikan në Tiranë, Donald Lu, një tjetër njeri i mbështetur dhe lobuar nga rrjeti i Xhorxh Sorosit.
Nën trysninë e Edi Ramës dhe të Donald Lusë, prokuroria shqiptare hapi një hetim të përgjithshëm për këtë çështje, pa akuza konkrete, të cilin Donald Luja u mundua, përmes oficerëve të OPDAT-it në Tiranë, që ta çonte në vëmendje të hetimit amerikan të Robert Mallerit.
Për këtë qëllim, prokuroria hartoi letër–porosi dhe kërkesa për informacion drejtuar FBI-së.
Informacionet e ardhura nga SHBA-të dhe Britania nuk zbuluan asnjë shkelje apo dyshim për shkelje të ligjeve amerikane apo britanike. Ato nuk sollën asnjë fakt apo indicie për burime të paligjshme apo të dyshimta të parave të përdorura për lobim.
Ky informacion rrëzoi edhe akuzat për hetime amerikane, pasi zbuloi se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë hetim në SHBA për çështjen e lobimit të PD-së.
Për më tepër, edhe hetimet e prokurorisë shqiptare nuk janë hetime për financim rus apo për lobim.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, që vazhdon përtej çdo arsyeje për më shumë se një vit e gjysëm, është për deklarim të rremë në formularë nga Partia Demokratike—sipas nenit 190 të Kodit Penal—me dyshimin se PD-ja nuk i ka deklaruar saktësisht të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që ajo ka kryer në vitin 2017.
Në këtë hetim nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë të pandehur, as Partia Demokratike dhe as kryetari i saj.
Duhet theksuar se kjo akuzë ka të bëjë me kundravajtje administrative, të cilat dënohen me gjobë. Për më tepër, tashmë ajo është parashkruar, pasi kundravajtjet nuk mund të dënohen pas një viti nga koha e kryerjes së tyre.
Por qëllimi i ricklimit të tezës së diskredituar të financimeve ruse nuk është zbulimi i së vërtetës, por lufta politike.
Taulant Balla dhe PS-ja kërkojnë që përmes këtyre akuzave të shpërqëndrojnë vëmendjen e publikut nga provat dhe faktet që po zbulohen për lidhjet kriminale të drejtuesve të lartë socialistë.
Gazeta më e madhe europiane Bild, pas publikimit të përgjimeve që tregojnë bashkëpunimin kriminal Dako-Avdylaj për vjedhje të zgjedhjeve, ka paralajmëruar botimin e përgjimeve të tjera.
Vetë Balla këto ditë është indirekt i ndikuar nga hetimet belge për pastrimin përmes Shqipërisë të parave të trafikut të drogës në Belgjikë. Bëhet fjalë për rastin “Toyota Yaris”, për të cilin Lulzim Basha ka akuzuar Taluant Ballën si të përfshirë. Prokuroria belge ka dërguar këto ditë në Tiranë një letër–porosi me pyetje për Lulzim Bashën, për të marrë më shumë informacion në lidhje me këto akuza.
Ekzagjerimi i skajshëm i akuzave të Ballës kundër PD-së, deri te pretendimi qesharak se ajo është financuar drejtpërdrejt nga familjarë të Putinit, më shumë se zbatim i parimit hitlerian-gebelisan se “sa më e madhe të jetë gënjeshtra, aq më lehtë besohet ajo”, mund të jetë rezultat i reagimit agresiv të socialistëve në trysninë e gjendjes së vështirë ku ndodhen.