Ambasada Amerikanë publikoi dje një video, me anë të së cilës keqinformonte qytetarët shqiptarë për Reformën në Drejtësi.
Videoja me titullin ‘Çfarë është reforma në drejtësi?’ shpjegon reformën në shqip, duke sugjeruar se ajo po zbatohet për
“të transformuar sistemin e drejtësisë në mënyrë që ai të trajtojë siç duhet korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe çështjet e përditshme në gjykata.”
Video pretendon se Kushtetuta garanton se gjyqtarët dhe prokurorët e rinj janë “të pastër”, por nuk përmend faktin se Kushtetuta është shkelur shumë herë në lidhje me formimin e institucioneve të vetingut, me kualifikimin e kandidatëve për institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, vlerësimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, e kështu me radhë.
Videoja shpjegon se vetingu bazohet në vlerësimin e pasurive, figurës dhe profesionalizmit, por nuk përmend faktin se institucionet e verifikimit, në mënyrë jokushtetuese, në shumicën e rasteve e kanë kryer vetingun duke u bazuar vetëm në hetimin e pasurisë.
Ndoshta pohimi më problematik i kësaj videoje propaganduese të ambasadës është pretendimi se “procesi i verifikimit po kryehet në mënyrë të drejtë, për shkak të pranisë së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), të cilët do të garontojnë që procesi kryhet në mënyrë korrekte.“
Përkundër këtij pohimi, sipas Kushtetutës, ONM-ja ka vetëm funksion këshillues dhe, për më tepër, këshillat e saj janë shpërfillur shpesh, për shembull kur Parlamenti zgjodhi disa komisionerë në institucionet e vetingut pavarësisht vlerësimit negativ të ONM-së për ta, apo kur në KLP dhe KLGj u zgjodhën anëtarë që ONM-ja kishte vlerësuar se nuk përmbushnin kriteret, apo kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit injoroi dyshimet e ONM-së për aftësitë profesionale të Arta Markut, etj.
Pra, në të vërtetë ONM-ja “nuk garanton” asgjë—ajo thjesht monitoron.
Video vazhdon duke pohuar se procesi i vetingut siguron se “[magjistratët] e këqinj shkojnë në burg”.
Në të vërtetë, procesi i verifikimit nuk është proces penal dhe ata që janë shkarkuar nga KPK-ja nuk marrin asnjë shënim penal në dosjet e tyre.
Vetëm një gjykatë penale mund të vendosë nëse një gjykatës apo prokuror i shkarkuar shkon në burg. Fakti është se, deri më tani, asnjë gjyqtar apo prokuror i vetëm nuk është burgosur, madje as nuk është hetuar, për shkak të fakteve të gjetura gjatë procesit të vetingut.
Për më tepër, videoja pohon se Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) emërojnë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët që kanë “kaluar vetingun”.
Në të vërtetë, KLGJ do të emërojë gjyqtarë që nuk kanë marrë ende vendimin përfundimtar nga institucionet e vetingut, por vetëm vendimin e fazës së parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), madje duke caktuar një kufi kohor prej tre muajsh për këtë fazë të parë, pas të cilës e bëjnë ata vlerësimin dhe jo KPK, vendim ky tërësisht antikushtetues.
Ndërkohë, KLP-ja synon ta themelojë SPAK-un jo me (të paktën) 10 prokurorë, siç parashikon qartë Kushtetuta, por me vetëm “7 ose 8.”
Video mbyllet me një pretendim, të cilin nuk mund ta besojë asnjë qytetar shqiptar, përveç atyre më naivëve (gjë që duket edhe nga numri i madh i komenteve të ashpra kundër videos në faqen e ambasadës në Facebook):
“Në të shkuarën, kushdo që kishte para apo pushtet mund të ndikonte sistemin gjyqësor, në favor të tij. Me sistemin e ri, të gjithë duhet të veprojnë sipas rregullave.”
Sigurisht, të gjithë përveç institucioneve të vetingut, institucioneve të sistemit të drejtësisë, gjykatave, prokurorive, parlamentit dhe qeverisë, secili pej të cilëve e ka shkelur aq shumë herë Kushtetutën dhe ligjin këto muajt e fundit, sa që tani askush nuk po numëron më.