Britania e Madhe ka paralajmëruar sot Brukselin se ndalimi i eksporteve të vaksinave do të ishte “shumë i dëmshëm” për reputacionin e BE.
Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se “bota po shikon” mënyrën se si blloku po e menaxhon situatën.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi një ditë më parë për gazetat gjermane se BE ka “mundësinë të ndalojë eksportet e planifikuara“, nëse AstraZeneca nuk dërgon një pjesë të vaksinave të saj të prodhuara në MB drejt bllokut.
Kompania tha se vonesat e vaksinave të planifikuara për në BE i detyroheshin “kompleksitetit të procesit të prodhimit“.
“Ky është mesazhi për AstraZeneca-n. Përmbushni kontratën tuaj me Evropën, para se të filloni të dërgoni në vendet e tjera, ” deklaroi Von der Leyen.
Përshkallëzimi i rradhës për çështjen e eksportit të vaksinave MB-BE vjen përpara një takimi të nivelit të lartë të liderëve Evropian të enjten.
“Nëse prishen kontratat, është një gjëja më e dëmshme që mund të ndodhë në një bllok tregtar që krenohet me sundimin e ligjit, që krenohet me ndjekjen e kontratave dhe me të qenit një bllok i hapur tregtar dhe unë mendoj se Komisioni e di thellë-thellë që bota është duke parë” tha Wallace për Sky News.
Wallace deklaroi: “Një gjë që dimë për prodhimin e vaksinave është se është çëstje bashkëpunimi. Në prodhimin e vaksinave përfshihen vende jo vetëm në Evropë, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por më larg, në vende të tilla si India.”
Ai shtoi të dielën se kërcënimet e BE-së për të bllokuar dërgesat e vaksinave Pfizer në Britani, që ka rritur tensionet politike, mund të “dëmtojë” furnizimet e vaksinave në të gjithë globin.
Kjo deklaratë është interpretuar nga analistët anglez si një kërcënim për shpagim nga ana e Britanisë.
Përhapja e vaksinave të BE-së vazhdon me ritme të ulëta, teksa vende si Gjermania, Hollanda dhe Franca kanë vaksinuar vetëm rreth një në dhjetë qytetarë.
Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar, ka vaksinuar mbi gjysmën e popullsisë së saj të rritur.
Kërcënimi i fundit i BE për të pezulluar dërgesat e vaksinave vjen pasi një grup vendesh morën vendimin, e përmbysur shpejt javën e kaluar, për të ndaluar vaksinën AstraZeneca mbi rastet e supozuara të mpiksjeve të gjakut të lidhura me goditje.
Rregullatori Evropian i Barnave zbuloi se nuk kishte prova të rritjes së mpiksjes së gjakut nga vaksina dhe se AstraZeneca ishte “e sigurtë dhe efikase“.