Bashkia Tiranë ka anuluar procedurat e tenderimit për studim-projektimet për rindërtimin e tetë shkollave dhe 2 kopshteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në njoftimin e publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, bashkia jep dy arsye për anulimin e tenderave:
-pjesëmarrjen në tender të më pas se dy ofertuesve,
-mosplotësimin e kritereve nga asnjëra prej kompanive në garë.
Vlera totale e tenderëve ishte rreth 115 mijë euro.
Lista e shkollave dhe kopshteve, tenderat e të cilëve janë anuluar janë:
- Shkolla e mesme “Sami Frashëri”,
- Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli”,
- Shkolla 9-vjecare “Mangull”,
- Shkolla 9-vjecare “Pezë e Vogël”,
- Ndërtim i shkollës cikli i ulët “Pajan”,
- Shkolla 9-vjeçare “Qazim Turdiu”,
- Shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani”,
- Shkolla 9-vjeçare “17-Shkurti”,
- Kopshti “Fikas”,
- Kopshti “Gurrë”.
Të gjitha këto institucione shkollore u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në disa prej tyre, bashkia ka nisur punimet për shembjen e godinave ekzistuese, por nuk dihet se cili do të jetë plani i vazhdimit të punimeve.
Për rindërtimin e shkollave të dëmtuara, Bashkimi Europian ka dhuruar 15 milionë euro. Këto fonde do të menaxhohen nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në vend.
Siç Exit News ka shkruar më parë, i gjithë projekti i ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave, me fond rreth 33,4 milionë euro do të zbatohet nga kompani shqiptare edhe pse tenderi për punët ndërtimore ishte teorikisht ndërkombëtar.
Ky është grupi i tretë i tenderëve të rindërtimit, të cilët anulohen.
Më 13 prill, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) anuloi tenderin e rindërtimit të 2500 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Vlera e tenderit ishte 43 milionë euro.
Arsyeja e anulimit ishte e njëjtë me atë të bashkisë: asnjë prej kompanive garuese nuk plotëson kriteret.
Më 15 prill, Bashkia Tiranë anuloi tenderin e rindërtimit me vlerë 14 milionë euro të rreth 900 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, sërish me të njëtin arsyetim.
Qeveria është zotuar që rreth 4 mijë familje të mbetura pa strehë për shkak të tërmetit, të presin vitin e ri 2021 në shtëpi të reja dhe cilësore.
Por anulimi i dy tenderave, që parashikojnë ndërtimin e shumicës së banesave, mund të bëjë që ky premtim të mos mbahet.