Pas deklaratës së Isabel Santos në një konferencë shtypi javën e kaluar se qeveria shqiptare ka tërhequr Ligjin e diskutueshëm Anti-shpifje, eurodeputeti David Lega është përgjigjur duke përgënjeshtruar këtë pretendim.
Exit pyeti Santos se si mund të thuhej se qeveria shqiptare kishte përmbushur rekomandimin për ta sjellë ligjin në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias kur drafti i tij i fundit ishte ende në pritje.
Ajo deklaroi se paketa antishpifje ishte tërhequr.
“Unë kam qenë në vijën e frontit në atë betejë. Kam qënë shumë i qartë se kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohet. Qeveria e ka tërhequr atë nga parlamenti,” shtoi Santos.
Kjo shkaktoi befasi në Shqipëri pasi projektligji është ende në axhendën e parlamentit dhe vetoja e Presidentit Ilir Meta nuk është pranuar apo refuzuar.
Në janar 2021, Exit mësoi se ishte ende duke u përpunuar dhe rishikuar nga Këshilli i Evropës.
Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias konfirmoi se nuk kishte prova që ai do të tërhiqej.
Exit kontaktoi Santos përmes postës elektronike për të pyetur se ku e kishte marrë informacionin se ishte tërhequr. Ajo nuk u përgjigj.
Në kërkim të përgjigjeve, Exit kontaktoi eurodeputetin David Lega, Raportuesin e në Hije për Shqipërinë për ta pyetur nëse ai ishte në dijeni që ligji ishte tërhequr.
“Sipas informacionit të fundit, amendamentet e propozuara në ligjin e medias, e ashtuquajtura ‘paketa anti-shpifje’ janë ende në pritje dhe ligji nuk është tërhequr zyrtarisht,” tha ai.
Lega shtoi se pas rekomandimeve të ashpra të Komisionit të Venecias për paketën në qershor 2020, qeveria ende nuk ka vepruar.
“Nëntë muaj me vonesë, qeveria nuk ka marrë ende masat e duhura dhe projektligji është ende në axhendën e parlamentit- ai nuk është tërhequr zyrtarisht.”
Ai vuri në dukje se teksti i miratuar i rezolutës së Parlamentit Evropian në 25 mars 2021 deklaronte se ata “mirëpresin angazhimin e autoriteteve për të tërhequr propozimin e ndryshimeve në ligjin e medias dhe për të zbatuar plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias të 19 qershorit 2020.”
Santos ishte raportuese për raportin dhe raporti nuk përmend tërheqje të ligjit, përkundrazi pret që qeveria ta bëjë një të tillë.
Kjo është ndryshe nga sa deklaroi Santos në dy raste të ndryshme gjatë konferencës për shtyp.
“Duket sikur kemi pikëpamje të ndryshme për rëndësinë e lirisë së medias. Padyshim, zonja Santos nuk ishte e gatshme të shprehte keqardhje për mosrespektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias,” u shpreh më tej Lega.
Eurodeputeti i ka dërguar tre pyetje Komisionit Evropian në lidhje me vlerësimin e tyre për Shqipërinë, duke përfshirë ligjin e medias, funksionimin e gjykatave dhe mungesën e procedimeve kundër zyrtarëve të lartë të politikës dhe politikanëve në skandalet e blerjes së votave.
Lega përsëriti se “ligjet e medias janë ende të paplota; propozimet, të cilat janë ende në tryezë, duhet të tërhiqen“.
Paketa anti-shpifje përfshin ndryshimin e 30 neneve të ligjit “për median audiovizive” (AMA) dhe 4 neneve të ligjit për “për komunikimet elektronike” (AKEP).
Ndryshimet u miratuan në 18 dhjetor 2019, por u kthyen për rishqyrtim nga Presidenti në janar me argument kryesor se ato cenonjnë lirinë e shprehjes.