Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e ka cilësuar të shtunën, si veprim personal dhe rast të veçuar, vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga polici.
Gjonaj e ka krahasuar vrajsen e Klodianit me vrasjet e 21 Janarit, duke thënë se nuk ishte me urdhër politik.
“Efektivi i policisë ka kryer një veprim personal. Ndodhet në masën e arrestit me burg dhe duhet tua lëmë organeve të drejtësisë të hetojnë. Dua të theksoj se është një ngjarje tërësisht sporadike, tërësisht e veçuar dhe në asnjë rast nuk ka ndodhur me një urdhër politik. Ndryshe nga ajo që ka ndodhur disa vite më parë në bulevard kur urdhrat politikë jepeshin nga partia në pushtet apo PD”, ka thënë Gjonaj për News 24.
Ajo ka thënë se çështja për hetim i takon drejtësisë.
Gjonaj komentoi edhe deklaratën e ambasadores Yuri Kim mbi vrasjen e 25 vjeçarit, duke thënë se i takon insitucioneve të hetojnë ngjarjen.
“Kemi institucione të pavarura të drejtësisë të cilat duhet të hetojnë rrethanat e çështjet për të kuptuar veprimet që janë kryer nga efektivi i policisë”, është shprehur ajo.
Vrasja e Klodian Rashës ka krijuar një reagim të fortë në vend. Prej 4 ditësh të rinjtë janë duke protestuar jo vetëm në kryeqytet por edhe në disa qytete të tjera të vendit.
Ata kërkojnë drejtësi për vrajsen e tij, dorëheqjen e drejtorit të Policisë Ardiu Veliu si dhe një reformim të të gjithë policisë.
Deri më tani si pasojë e protestës ka dhënë dorëheqjen ministri i brendshëm Sandër Lleshaj.