Kryetari i AAK Ramush Haradinaj tha të martën se Serbia i është kthyer kërcënime ndaj Kosovës pasi ndihet e fortë, ngaqë Kosova ka një qeveri të shkarkuar.
Po ashtu Haradinaj ka akuzuar dhe presidenten në detyrë Vjosa Osmanin, si një “presidente e dobët”, duke e shtuar dhe këtë si argument për shtimin e kërcënimeve nga ana e Serbisë.
Në një postim në Facebook Haradinaj tha:
“Ne kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë.”
Më tej ai deklaroi se në mandatin e tij si president Kosova do të anëtarësohet në NATO.
Sipas tij, ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigja më e mirë ndaj deklaratave të Serbisë të cilat ai i cilëson si nxitëse të luftës.
Ndërkohë të hënën, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti paralajmëroi Serbinë se nëse nuk njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë qeveria kosovare do të zbatojë masat e reciprocitet ndaj Serbisë.
Deklaratat e tyre kanë ardhur si përgjigje ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se sa të jetë ai president Serbia s’do ta njohë Kosovën.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.