KOMENT: Bjarke Ingels akuzon gazetarin kritik për “arrogancë” dhe “ksenofobi”

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
KOMENT: Bjarke Ingels akuzon gazetarin kritik për “arrogancë” dhe “ksenofobi”

Në një përpjekje për të shpëtuar imazhin e tij të njollosur, “yll-arkitekti” danez Bjarke Ingels ka aluduar se gazetari danez Johann Thor Haahr Hansen—i cili shkroi një artikull kritik dhe të mirëfaktuar ekspozues të përfshirjes së Ingels në Shqipëri—është “ksenofob”.

Javën e kaluar, Haahr Hansen shkroi një artikull për gazetën më të madhe daneze Politiken, ku diskutohej përfshirja e Ingels në shkatërrimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, një objekt i trashëgimisë kulturore, ku Fusha shpk, kompani ndërtimi e lidhur ngushtë me qeverinë e Kryeministrit Rama, po planifikon të ndërtojë disa kulla të larta. Në shkëmbim të tokës publike, Fusha premtoi ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, sipas projektit të Ingels.

Në të shkuarën, Exit News ka raportuar gjerësisht rreth përpjekjeve të qeverisë Rama, për t’ia dhënë truallin e teatrit Fushës, në mënyrë të paligjshme dhe pa procedurë tenderuese, si dhe për dështimin e mëpasshëm të bisedimeve ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Fushës.

Roli i Bjarke Ingels në këtë histori është mbajtur i fshehur në paqartësi. Ingels deklaroi fillimisht, në mënyrë të rreme, se kishte fituar një konkurs arkitekture, dhe më pas nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve tona, duke deklaruar se ka firmosur një marrëveshje për ruajtjen e konfidencialitetit të marrëveshjes me klientin.

Edhe pse gazetari Haahr Hansen dhe Politiken e kishin ftuar Bjarke Ingels të jepte këndvështrimin e tij për këtë çështje, diçka që ai ka bërë shpesh në të kaluarën, Ingels refuzoi.

Në përgjigjen e tij ndaj artikullit, botuar në fundjavë, Ingels e gjen shpëtimin në një strategji shumë të njohur për ata që ndjekin çështjet e tanishme shqiptare: sulmet personale. Në vend që t’i përgjigjet pyetjeve shqetësuese që lidhen me përfshirjen e tij me projektin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, Ingels përpiqet të diskreditojë gazetarin:

“Artikulli pikturon Shqipërinë dhe shqiptarët si të korruptuar në çdo aspekt, […]. Unë duhet të pranoj se në një farë mënyre mund ta kuptoj se çfarë mendon gazetari […] për shqiptarët, edhe nëse mund të duket si arrogante dhe ksenofobe.”

Në fakt, artikulli i Haahr Hansen thjesht citon një raport  të International Transparency ku thuhej se Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Kjo nuk është as arrogancë dhe as ksenofobi. Është një fakt i thjesht. Në asnjë mënyrë raporti i cituar i International Transparency nuk nënkupton se “shqiptarët” janë të korruptuar —por se me siguri qeveria është e korruptuar, e njëjta qeveri që Ingels harxhon disa paragrafë për ta mbrojtur në përgjigjen e tij.

Ingels rishpalos historinë shumë të lodhur tashmë se si Edi Rama e “transformoi” Tiranën dhe se si një bandë e vogël e artistëve atëhere në modë, udhëhequr nga kuratori Hans Ulrich Obrist, iu bashkuan atij për të rikrijuar qytetin. Tashmë e kam çmontuar këtë përrallë diku tjetër.

Ai përmend “të rinjtë në të njëzetat e tyre” që përfaqësojnë Bashkinë e Tiranës “duke i raportuar drejtpërdrejt kryetarit të Bashkisë”, sikur të ishte ky një shembull i ndritshëm i shërbimit civil të përkushtuar, dhe jo një mungesë e dukshme e llogaridhënies.

Ai përmend “partneritetin publik-privat” për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, ndërsa fsheh faktin se zbatimi i këtij koncesioni shkelte ligjin dhe marrëveshjet shqiptare me Bashkimin Evropian.

Ai përmend “protesta të dhunshme” kundër rindërtimit të Sheshit Skënderbej, edhe pse e vetmja gjë për t’u shënuar atje është që Fusha shpk ka rrëmbyer më shumë se €15 milionë para të taksapaguesve në procedura të dyshimta prokurimi.

Në përgjigjen e tij, Ingels pohoi se ai ka folur edhe me krijuesit dhe aktorët shqiptarë të teatrit, edhe pse ai injoroi lutjet e vazhdueshme të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për të vizituar ndërtesën dhe për të hyrë në diskutim rreth teatrit. Dikush mund të pyesë, me kë ka folur Ingels, duke marrë parasysh që dhjetëra artistë dhe krijues të teatrit shqiptar nënshkruan një letër të hapur që denonconte shkatërrimin e saj dhe politikat kulturore të Ramës në përgjithësi.

Në fund të artikullit të tij, Ingels ofron një shfaqje të denjë për vetë-mëshirim, duke deklaruar se projekti i Teatrit Kombëtar “nuk është çështje që do na bëjë të pasur: do të na kushtojë shumë”. Ai madje ankohet se “kjo nuk është një gjë për të cilën na kanë vlerësuar: deri më tani në Politiken kam parë vetëm akuza për nxitje të ‘dhunës dhe korrupsionit'”.

Më falni, ne duhet t’ju lavdërojmë që ju po i jepni një fasadë të shkëlqyeshme për një regjim të korruptuar që përdor vazhdimisht dhunën, shtypjen dhe frikësimin kundër çdo forme kritike dhe rezistence?

Ne duhet t’ju lavdërojmë që keni injoruar ndikimin e vërtetë shoqëror që sjell mbështetja publike që ju i jepni regjimin të kryeministrit Rama që po e kthen vendin pras? Ne duhet t’ju lavdërojmë që keni punuar së bashku me një nga kompanitë më të dyshimta të biznesit në Shqipëri?

Por po ta mendosh më thellë, gjithçka ka kuptim: në përpjekjen e tij për vetëmbrojtje, ai tregon se është arkitekti i përsosur për një klasë politike që i shërben vetëm vetvetes. Bjarke, e kalove provën!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>