Kompanitë e ndërtimit, klientët më të paguar nga buxheti i shtetit për vitin 2020

Nga Exit News
Kompanitë e ndërtimit, klientët më të paguar nga buxheti i shtetit për vitin 2020

Në renditjen e 10 kompanive më të paguara nga qeveria për vitin 2020, 8 prej tyre janë kompani ndërtimi.

Ato kanë përfituar në total 110 milionë euro nga tenderat publikë, për vetëm një vit, sipas të dhënave të publikuara nga Open Data Albania, të martën.

Mes tyre janë kompanitë e ndërtimit të njohura për lidhjen e ngushtë me qeverinë dhe me Bashkinë Tiranë si Fusha, Salillari e Alb-Star, në 8 vitet e fundit.

Sipas të dhënave publikuar nga Open Data Albania, kompanitë të cilat kanë përtifituar më shumë para nga buxheti i shtetit janë:

– Kompania e ndërtimit G.P.G Company ka përfituar rreth 22.61 milionë euro, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ajo ka përfituar tendera për ndërtimin e shesheve të qyteteve si pjesë e Rilindjes Urbane.

Kompania është në pronësi Paqsor Buzit dhe Gëzim Danit. Në vitin 2019, Buzi u arrestua nga policia si pjesë e një skeme të dyshuar mashtrimi me TVSH-në. Gjykata e ka lënë në arrest shtëpie, ndërsa çështja është ende në gjykim.

– Kompania Gjoka 87 ka përfituar rreth 20,5 milionë euro, si pagesa për kontratën koncesionare të Rrugës së Arbrit, ende në ndërtim.

– Kompania Fusha ka përfituar 14,7 milionë euro, si fituese e tenderave të ndryshëm publikë, pjesa më e madhe dhënë nga Bashkia e Tiranës. Fusha shpk njihet si një prej kompanive të preferuara të qeverisë Rama dhe bashkisë Tiranë në tenderat e ndërtimit. Ajo së fundi ka fituar dhe tenderin për rindërtimin e Piramidës.

– Kompania  Salillari ka përfituar 13,6 milionë euro, si fituese e tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit të Zhvillimit Shqiptar, për ndërtime rrugësh. Ndër të tjera, Salillari ka fituar dhe tenderat për Lotin e I dhe të II të Unazës së Madhe.

– Kompania  Alb-Star ka përfituar 13,5 milionë euro në një sërë tenderash nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve etj. Alb-Star njihet si kompania që ndërtoi me PPP stadiumin e ri kombatër ‘Air Albania’.

– Kompania  Gjikuria  ka përfituar 13,3 milionë euro si fituese e tenderave nga ARRSH-ja, FZHSH-ja apo Bashkia Himarë.

– Kompania  Agbes Construction ka përfituar rreth 11,8 milionë euro si fituese e tenderave sërish nga ARRSH, FZHSH apo Bashkia Fier.

Mes 10 kompanive më të paguara për vitin 2020, nuk kanë përfituar pagesa në lidhje me ndërtimin 3 kompani:

– Kompania Trans Adriaktik Pipeline AG Albania (TAP) ka përfituar rreth 40 milionë euro si rimbursim për TVSH-në.

– Kompania Kastrati ka përfituar rreth 15 milionë euro, si pagesa për furnizime në karburant dhe vaj.

– Kompania  AYEN-AS Energy ka përfituar 11.8 milionë euro si rimbursim për TVSH-në. kompania ka një kontratë koncesionare për Ndërtim-Operim, transferim të hidrocentraleve Peshqesh, Ura e Fani Fangut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>