Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur bashkëpunimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi duke thënë se koordinimi i mes Brukselit dhe Uashingtonit është “i domosdoshëm”.
Këto komente Kurti i bëri pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Palmer dhe Lajçak mbërritën sot në Prishtinë ku do të takohen me zyrtarët më të lartë të Kosovës.
Vizita i paraprin takimit të paralajmëruar mes kryeministrit kosovar Kurti dhe presidentit serb Vuçiç në Bruksel, në mes të qershorit.
Për dialogun me Serbinë, Kurti u shpreh se “duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.”
Javën e fundit, Kurti zhvilloi takime me krerët e opozitës, që njëzëri kërkuan një përfshirje më të madhe të SHBA-ve në negociatat me Serbinë.