Të enjten mbasdite, Delegacioni i BE-së në Tiranë sulmoi në mënyrë të paprecedentë Presidentin e Shqipërisë.
Më herët gjatë ditës, Presidenti Meta shprehu shqetësimet e tij për përparimin e Reformës në Drejtësi, e cila ka çuar në mos funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, e mbetur me vetëm një gjyqtar, dhe të Gjykatës së Lartë, e mbetur vetëm me dy gjyqtarë e rreth 40 mijë dosje në pritje të gjykimit.
Presidenti Meta kishte preku, gjithashtu, edhe paligjshmërinë e “opinionit ligjor” famëkeq të EURALIUS-it për emërimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe akuzoi se misioni merr “porosi politike”:
“Vijmë tek rasti i Gjykatës Kushtetuese. Kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me Kushtetutën. Herën e dytë, si President duke ditur dështimin e herës së parë që u humb një vit kohë dhe askush nuk mbante përgjegjësi, kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE-së dhe EURALIUS, që është një mision që paguahet nga taksapaguesit europianë për të garantuar zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri sipas standardeve evropiane dhe në respekt me Kushtuetutën dhe ligjet e Shqipërisë.
EURALIUS i ktheu përgjigje Presidentit, ku i tha se ata nuk mund të merrnin pjesë në takim sepse ishin një mision i ndihmës teknike, çfarë do të thotë se ata kanë marrë “porosi politike”… I njejti EURALIUS certifikoi Kryetarin e Komisionit të Ligjeve në Kuvend për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë, Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Kjo nuk është drejtësi evropiane.”
Brenda ditës, Delegacioni Europian u përgjigj, përmes nje letre me fjalë të forta, botuar në gazetën Panorama:
Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara axhendën e reformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese.
Reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur”.
Së pari, kjo përgjigjje për kritikat ndaj EURALIUS është në vetvete veprim shumë domethënës. Exit.al i ka drejtuar disa herë pyetje EURALIUS-it rreth akuzave të ndryshme që janë bërë ndaj tij, por përherë kemi marrë përgjigjen se EURALIUS nuk bën deklarata për media. Siç shihet, ata bënkërkan deklarata, por thjesht përçmojnë median. Kjo tregon se kanë përqafuar më së miri veset e politikës shqiptare!
Së dyti, bie në sy fakti se përgjigjia u lëshua nga Delegacioni i BE-së në Tiranë. Sikurse vë në dukje letra, EURALIUS thjesht financohet nga BE, por nuk është pjesë e makinerisë burokratike të BE-së. Në fakt, ai menaxhohet nga një konsorcium aktorësh privatë, pa asnjë detyrim për transparencë kundrejt taksapaguesve evropianë, paratë e të cilëve ata shpenzojnë.
EURALIUS nuk është pjesë e Delegacionit të BE-së, por thjesht një projekt i financuar nga BE. Duke patur parasysh se ka shumë projekte të financuara nga BE që kanë dështuar në Shqipëri, është domethënëse që ata vendosën të mbronin këtë projekt në veçanti.
Le të ndalojmë, fillimisht, tek i ashtuquajturi “profesionalizëm, dedikim, punë e shkëlqyer, dhe integritet i EURALIUS-it.” Presidenti Meta, vuri në dukje, në mënyrë korrekte—pa spekulluar për motivimin politik të tij—se opinioni ligjor i EURALIUS-it, i cili u përdor nga qeveria për të zgjedhur me vetëm votat e shumicës Arta Markun si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, ishte jo vetëm tmerrësisht i pamenduar, por së fundmi u vertetua nga vetë Arta Marku se ai ishte thëlbësisht i metë.
Për më tepër, EURALIU-s u përpoq shumë ta fshihte opinionin ligjor nga publiku shqiptar, çfarë është shkelje e kontratës së tij me BE-në, dhe ky dokument nuk gjendet më në faqen zyrtare në rrjet të EURALIUS-it.
Ky opinion ligjor—i vetmi i lëshuar ndonjëherë nga EURALIUS—u hartua në kohën kur konsorcumi që zbatonte EURALIUS IV po garonte në tenderin për vazhdimin e kontratës, EURALIUS V. Nuk është suprizë që ai e fitoi vazhdimin e kontratës, pasi lëshoi një opinion në interes të ish-Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin dhe të Qeverisë Rama. Pas periudhës tranzitore nga EURALIUS IV në V, të gjitha të dhënat e punonjësve të misionit u hoqën nga faqja e EURALIUS-it, pa asnjë dyshim, me qëllimin për të fshehur faktin se qeveria Rama punësoi në EURALIUS “specialistët tekniknicienë” të preferuar të saj, me qëllim që ata t’i “dedikohen” një kauze të mirë. Rastësisht, gjyqtari i ri i Shqipërisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, i propozuar nga qeveria Rama, ka qënë më parë ekspert ligjor i EURALUS V.
EURALIUS V i ka ndaluar vazhdimisht qytetarët shqiptarë të kuptonin misionin dhe mësonin funksionimin e tij të brendshëm. Exit.al ka kërkuar një sërë raportesh zyrtare rreth aktivitetit të EURALIUS, të cilat më parë gjendeshin lirisht në faqen zyrtare në rrjet të misionit dhe tani janë hequr, por nuk na është dhënë ende asnjë qasje në to.
Raportet e ngjashme për ecurinë e EURALIUS IV treguan, ndër të tjera, se ka patur një Komitet Drejtues të EURALIUS-it, me anëtarë ish-Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe avokatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili aktulisht është në proces gjyqësor për trafik narkotikësh dhe korrupsion.
Është e kuptueshme se Komisioni i BE-së nuk do që këto fakte të zbulohen nga publiku, sepse ato tregojnë pikërisht atë që EURALIUS është: një konsorcium privat jotransparent i drejtuar nga qeveria shqiptare dhe Delegacioni i BE-së—asnjëra prej të cilëve nuk mund të konsiderohet neutral apo profesional në këtë kohë.
Letra e Delegacionit, gjithashtu, shprehet se “reforma në drejtësi po zbatohet në pëputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me legjislacionin përkatës të vendit.” Ky është një deklarim i dyshimtë, jo vetëm sepse një pjesë e madhe e këtij “legjislacioni përkatës të vendit” u miratua vetëm me votat e shumicës socialiste, por edhe sepse ky legjislacion bie në shumë pika ndesh me Kushtetutën (përfshi edhe vetë përcaktimin e “vetingut”, çfarë ka çuar ne emërimin e anëtarëve të pa vetuar në institucionet kryesore të drejtësisë) dhe, për më tepër, sepse vendi nuk ka më Gykatës Kushtetuese për të trajtuar këto çështje me rëndësi të jashtëzakonshme.
Pastaj vjen gënjeshtra e hapur se ecuria e “reformës është në shinat e duhura”. Në fakt, nuk është—nuk është në asnjë nga standardet që BE i ka vendosur vetes. Dy Shefa të ndryshëm të Delegacionit të BE-së dhe një mori ministrash të qeverisë Rama kanë deklaruar afate kohore për çdo pjesë të reformës që mund të imagjinohet dhe të gjitha këto afate janë tejkaluar pa asnjë përjashtim.
Nuk ka më as shina për reformën në drejtësi, dhe tani madje edhe specialistët që u përfshinë në hartimin e legjislacionit të saj pranojnë se ajo po shfaq shenjat e dështimit.
Një ditë pas Delegacionit, të premten Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, njëkohësisht shefja e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, lëshoi një deklaratë tjetër në mbështetje të reformës në drejtësi:
Rezultatet shumë të prekshme të arritura deri më sot na kanë lejuar të analizojmë këtë vitin të parë punë intensive dhe të trajtojmë sfidat që na presin përpara, duke marrë parasysh se vetingu do të vazhdojë për disa vjet për të përfunduar vlerësimin e mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve.
…Kur shqyrtohen rezultatet e vetingut të vitit të parë të zbatimit, është e qartë se procesi ka pasur ndikim të fortë mbi institucionet ekzistuese.
…Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, natyrisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Nuk duhet të habitemi që procesi i rivlerësimit ka pasur ndikime dhe pasoja në gjyqësor në të gjitha nivelet. Megjithatë, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti.
Kjo deklaratë tregon saktësisht problemin gjigand që po vuan reforma në drejtësi. fdysit e saj nuk e menduan asnjëherë se vendi do të përfundonte pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.
Më pak se një vit më parë, Ruiz Calavera edhe publikisht deklaroi se ajo ishte e “bindur se shumë nga gjyqtarët dhe prokurorët do ta kalonin vetingun pa vështirësi,” duke përdorur të njëjtën metaforë si Delegacioni i BE-së: “vetingu është mbi shinat e duhur.”
Por tani, befas, “mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, natyrisht, një çmim i lartë për t’u paguar.” Nuk ka asgjë “të natyrshme” ose “të qartë” në në këtë deklaratë, dhe asnjë burokrat i BE-së nuk i ka thënë asnjëherë qytetarëve shqiptarë se ky do të ishte “çmimi”.
Përkundrazi, tani paska ardhur koha për të “vlerësuar” dhe “trajtuar sfidat që presin përpara”. Jo për ndonjë arsye të veçantë, apo sepse ky ishte një moment i paracaktuar në proces, por thjesht sepse në fakt, “vlerësoi” Presidenti Meta, por qartazi jo në mënyrën që donin ata.
Ndaj, Ruiz Calavera vazhdon të shfaqë një optimizëm qesharak që vjen me superioritetin që ajo mendon se i jep pozicioni i saj, duke deklaruar se “tranzicioni do të përfundojë së shpejti.”
Ky “tranzicion” në fakt, do të marrë edhe 8 vjet të tjera, dhe gjatë këtyre 8 vjetëve dhe shumë pas tyre do të destabilizojë tërësisht Shqipërinë.
Çfarë është tejet e mjerueshme nga këto deklarata që vinë nga BE-ja, është fakti se ato bëhen me një arrogancë që e ndjen lehtësisht çdo qytetar shqiptar.
Të dy, si Soreca dhe Ruiz Calavera flasin sikur shqiptarët të mos e kuptonin se procesi i vetingut është një proces politik—po aq politik sa gjyqet publike në regjimin komunist. Të dy sillen sikur nuk e dinë se çdo deputet që votoi reformën në drejtësi e bëri sepse besonte se partia e tij do të mund ta manipulonte procesin në favor të tyre.
Ata sillen sikur shqiptarët nuk e dinë se eurokratët do të zhduken sa të përfundojnë mandatet e tyre, për të mos u kthyer më kurrë pas tek rrënojat e shkrumbuara që ata krijuan nën mbikqyrjen e tyre.
Besimi i eurokratëve në reformën në drejtësi—një eksperiment pa objektiva të verefikueshme, pa asnjë standard, dhe me kritere të vagëta—është kthyer në një fe, një fe me rituale, dogma, hierarki, premtime, Parajsë dhe Ferr.
Dhe, njësoj si të gjitha fetë, ajo i ka bërë eurokratët të verbër dhe të shurdhër ndaj realitetit. Nga zyrat e tyre, ata e predikojnë për ditë këtë fe, duke harruar fare se ku janë—në të parin vend ateist në botë.