Meta i propozon palëve politike një platformë me 14 pika

Nga Exit News
Meta i propozon palëve politike një platformë me 14 pika

Presidenti Ilir Meta ka hartuar një platformë për vazhdimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës kushtetuese e politike në vend.

Propozimet kryesore të tij janë: përfundimi i Reformës Zgjedhore, shmangien e parlamentit për ndryshimet në Reformën në Drejtësi dhe kalimin e vendimmarrjes tek Këshilli Politik, plotësimi dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese, largimin e Dvoranit si gjyqtar dhe si kryetar i KED-it, tërheqja e qeverisë nga paketa anti-shpifje dhe nga ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese për betimin e anëtarëve të GJK-së.

Meta i ka dërguar propozimet e tij tek shumicës socialiste, partive opozitare dhe të gjithë ambasadorëve në vend.

Exit News sjell më poshtë 14 propozimet e presidentit:

– Shumica dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

– Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë punën për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, 2 vende të presidentit dhe 1 të parlamentit.

– KED duhet të përfshijë në punën e tij Avokatin e Popullit, siç e parashikon Kushtetuta.

Mandati i Ardian Dvoranit si kryetar i KED-it të përfundojë me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Më pas Dvorani, të cilit i ka mbaruar mandati por vazhdon qëndron në detyrë, duhet të largohet si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe  si Kryetar i KED-it.

– KED-i të vazhdojë punën nën drejtimin e nënkryetarit.

– Parlamenti të nisë punën me Presidentin dhe Parlamentin për plotësimin e vendeve bosh në KED.

– Parlamenti të tërhiqet nga ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese për betimin e anëtarëve të GJK-së. ndryshimet e miratuara nga shumica socialiste e bëjnë totalisht të panevojshëm betimin para Presidentit, përpara fillimit të punës së anëtarëve. Këto ndryshime, miratuar në shkurt 2020, shkelin Kushtetutën.

– Parlamenti të tërhiqet nga “paketa Anti-shpifje”, e cila i jep kontroll mbi median institucioneve nën varësinë e qeverisë.

– Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

– Palët pjesë e Këshillit Politik të emërojnë brenda qershorit një shef-Negociator për anëtarësimin në BE.

– Të emërohen gjyqtarët e Gjykatës së Lartë – aktualisht GjL ka vetëm 4 gjyqtarë: Ardian Dvorani, të cilit i ka mbaruar mandati, dhe 3 të sapoemëruar në shkelje të Kushtetutës Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe.

– KLP dhe KLGj të nisin menjëherë punën për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në Gjykatën dhe prokurorinë e Apelit dhe gjykatat e prokuroritë e shkallës së parë.

– KLGJ duhet të vlerësojë  mbingarkesën me çështje të Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme për të zgjidhur situatën.

– Parlamenti të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pozicion i mbetur bosh prej disa kohësh.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>