Ngjarjet më të rëndësishme të 2019-s

Ngjarjet më të rëndësishme të 2019-s

12 muajt e këtij viti kanë qenë shumë dinamikë, por pavarësisht kësaj, Exit News ka qenë këtu duke ju sjellë informacione dhe raportime të përditësuara. Protesta, zgjedhje, tërmete dhe skandale të panumërta politike, viti 2019 ka patur plot lajme të rëndësishme. Pa përzgjedhje të veçantë , më poshtë sjellim 20 lajmet më të lexuara, shpërndara dhe komentuara të këtij vit!

Air Albania operon me avionë turq për shkak të mungesës së licencës evropiane

Më në fund, Air Albania filloi fluturimet e para gjatë këtij viti, por për shkak të mungesës së një licence evropiane, u detyrua të merrte me qira avionë nga Turkish Airlines. Kjo do të thotë që “Air Albania” mund të përdorte licencën e tyre evropiane dhe kompania turke do të ishte përgjegjëse financiarisht, ligjërisht dhe teknikisht për kompaninë ajrore. Kombinojeni këtë me pretendimet se stafi kryesor i Air Albania janë shtetas turk, 49% e saj është në pronësi të Turkish Airlines, dhe pjesa tjetër prej 41% dyshohet të jetë në pronësi të shtetasit turko-shqiptarë, dhe duket se Air Albania është vetëm një degë e Turkish.

Dy gazetarë pushohen nga puna për shkak të kritikës ndaj qeverisë shqiptare

Dy nga gazetarët më të njohur dhe më të respektuar në Shqipëri, Adi Krasta dhe Ylli Rakipi u pushuan nga puna këtë vit pas presionit nga Rama ndaj pronarit të stacioneve televizive ku ata punonin. Rama, i cili u ndje i kërcënuar nga raportimi i tyre kritik, vendosi të merrte kontrollin. Fatkeqësisht për të, Krastës iu ofrua me shpejtësi një vend pune në Kosovë, ku është i lirë të transmetojë ashtu siç dëshiron, pa ndërhyrje politike. Transmetimi i tij i parë, një monolog, u bë virale brenda disa orësh nga postimi.

Kryeministri Rama punëson një avokat me pagesë 750 euro në orë për padinë kundër gazetarit gjerman. 

Pas publikimit të përgjimeve të prokurorisë, nga gazetari gjerman Peter Tiede, Rama punësoi avokatin Matthias Prinz, i cili merrte 750 euro në orë, për ta paditur, pavarësisht se paga e tij ishte vetëm 1400 euro në muaj. Tiede publikoi përgjime që tregonin zërin e Ramës dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, të cilët bashkëpunuan për të kërcënuar, ndaluar votuesit e opozitës që të votojnë dhe për të blerë vota. Tiede pohoi se ai mori një letër nga avokati Prinz por e hodhi atë dhe që atëherë asgjë nuk ka ndodhur, me siguri sepse nuk ka asnjë bazë ligjore që Rama ta padisë.

Acromax, mekanizmi i qeverisë shqiptare për censurimin e politikës online

Në verë, një numër i qytetarëve dhe aktivistëve u ankuan se videot e tyre po hiqeshin nga kanalet e tyre në Facebook dhe YouTube nga një kompani e quajtur Acromax. Këto video ishin kryesisht kritike ndaj qeverinë ose kishin përmbajtje që mund të vendoste ata para përgjegjësisë. Acromax pranoi në Exit se Partia Socialiste është kliente dhe ata janë udhëzuar të heqin artikuj për ta, por ata mohuan pretendimet e tjera të përfshira në artikull.

Skema korruptive e Ramës për shitjen e shtetësisë shqiptare

Në një video të parë nga Exit, Rama njoftoi në një konferencë mondane në Londër, se do t’i shiste nënshtetësinë shqiptare, investitorëve të pasur përmes një skeme të administruar nga Henley & Partners. Gjatë fjalës së tij ku bëri disa shaka mbi komunizmin, ai pranoi se do të ishte në telashe me BE-në për këtë vendim, por që do ta bënte gjithsesi. Delegacioni i BE në Tiranë dhe Komisioneri i Drejtësisë Vera Jourova të dy e kritikuan vendimin e tij dhe pohuan se i kishin kërkuar që të rishqyrtonte.

Përgjimet e reja të Bild implikojnë kryeministrin Rama në blerjen e votave dhe shantazh

Një seri e re e përgjimesh të publikuara nga gazeta gjermane Bild tregon zgjerimin e aktivitetit të blerjes së votës nga Partia Socialiste gjatë zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë e Dibrës, më 11 shtator 2016, që përfshinin jo vetëm grupe kriminale, por edhe zyrtarë të shtetit, anëtarë të parlamentit, ministra dhe vetë kryeministrit Edi Rama. Deri më tani, askush nuk është ndjekur penalisht apo arrestuar. Rama deklaroi se ishte zëri i tij në përgjim dhe se ai do ta zhvillonte atë bisedë përsëri.

Bashkia e Tiranës ngre përmendore për viktimat e grushtit shteti në Turqi

Bashkia e Tiranës ngriti një memorial në përkujtim të viktimave të grushtit të dështuar shtetit kundër qeverisë së Presidentit Erdogan, më 15 korrik 2016. Ky është ndoshta memoriali i parë në botë jashtë Turqisë, ndërtuar për të përkujtuar viktimat e 15 korrikut. Në të njëjtën kohë, asnjë memorial i ngjashëm nuk u ndërtua kurrë në Shqipëri për ndonjë ngjarje të ngjashme tragjike. Javë më vonë monumenti u sulmua dhe u thye dhe deri më sot, ai mbetet i mbuluar dhe i ruajtur.

Zgjedhjet në Shqipëri: Përgjimet tregojnë bashkëpunim midis drejtuesve socialistë dhe bosëve të krimit

Gazeta gjermane Bild publikoi gjashtë biseda telefonike të përgjuara midis anëtarëve të një organizate kriminale dhe liderëve të partisë socialistë si dhe drejtuesve të bashkisë Durrës. Më e rëndësishmja, disa nga bisedat u zhvilluan midis kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, njëherësh drejtuesit të Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit dhe Astrit Avdylaj, drejtuesit e një organizate ndërkombëtare kriminale për trafik droge dhe anëtarëve të bandës së tij. Deri më tani, askush nuk është hetuar, arrestuar apo ndjekur penalisht për ndonjë prej krimeve të dala nga përgjimet.

Përgjimet tregojnë socialistët bashkëpunuan me kriminelët për të blerë vota

Partia Socialiste (PS) e Shqipërisë manipuloi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në bashkëpunim me grupet e organizuara kriminale përmes blerjes së votave, kërcënimit të votuesve dhe premtimin e përfitimeve të paligjshme. Gjetjet e hetimit të kryer nga gazetarja Klodiana Lala të BIRN fillimisht u botuan nga Zëri i Amerikës.

Pretendimi i Erion Veliaj për marrjen e çmimit nga OKB-ja që ishte i rremë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gënjeu për “çmimin” se Tirana fitoi nga Kombet e Bashkuara (OKB) si “një nga 10 qytetet me performancën më të mirë ekonomike”.
Ai bëri një deklaratë jo të zakonshme në rrjetet sociale, duke shtuar se “gjatë katër viteve të ardhshme do t’i japim Tiranës jo vetëm rolin më të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë, por me shumë mundësi, madje edhe polin më të rëndësishëm ekonomik të të gjithë rajonit të Ballkanit”. Sigurisht, kjo ishte një marrëzi e sajuar, e krijuar për t’i bërë përshtypje ndjekësve të tij dhe për të fituar pikë politike.

Tërmeti më i fortë në dekadat e fundit godet Shqipërinë

Më 26 nëntor, një tërmet me magnitudë 6.4 goditi Shqipërinë, duke vrarë 51 njerëz, duke plagosur qindra dhe duke lënë mijëra të tjerë të pastrehë. Exit News raportoi për këtë ngjarje të rëndë nga momentet pas goditjes së tërmetit në mënyrë të vazhdueshme, dhe ende vazhdon të shkruajë për pasojat e tij.

Propaganda, gënjeshtra dhe spiunët rusë

Pas raportimeve të gazetares se Exit, Alice Taylor, për protestat e opozitës dhe përgjimet që implikonin zyrtarë të lartë të qeverisë në manipulim zgjedhjesh, ajo u sulmua nga mediat pro-qeveritare dhe u etiketua një ‘spiune ruse’, teksa ishte gjashtë muajshe shtatzënë. Më pas asaj iu revokua leja e qëndrimit dhe u desh të padiste Ministrinë e Brendshme në gjykatë, çështje të cilën e fitoi në mënyrë që të merrte sërish lejen e qëndrimit.

Mijëra shqiptarë protestuan kundër qeverisë Rama

Gjatë pranverës mijëra shqiptarë protestuan kundër qeverisë Rama në dhjetra protesta të organizuara nga opozita. Protestat morën shkas nga audio-përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD ku dëgjoheshin ish-ministra, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë të PS-së që flisnin për blerje votash dhe bashkëpunim me krimin në Dibër e Durrës. Pothuaj në të gjitha protestat, policia përdori gaz lotsjellës dhe mjete të tjera të dhunshme për të shpërndarë protestuesit.

Banorët e Astirit

Pas njoftimit të qeverisë se do të prishë qindra shtëpi “të paligjshme” në zonën e Astirit për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe, që u fitua nga një kompani fantazëm, Exit News vizitoi zonën për të intervistuar banorët. Në vend të ‘shpellarëve’ dhe ‘barbarëve’, siç i quajti Erion Veliaj, Exit gjeti qytetarë të sjellshëm, të ndershëm, të përulur, të cilët kishin ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të legalizuar pronat e tyre. Vuajtja e tyre po vazhdon.

Profilet e rreme në mediat sociale për të mbështetur Veliajn dhe Ramën

Para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ku Partia Socialiste garoi e vetme në gjithë vendin, makina e propagandës qeveritare mori superxhiro, përfshirë këtu qindra, në mos mijëra profile dhe faqe të rreme në Facebook që komentonin në mbështetje të kryebashkiakut e Veliaj dhe kryeministrin Rama.

Exit News, në këtë shkrim, sqaron mënyrën se si këto profile u krijuan dhe u përdorën për propagandë dhe për të treguar se kryebashkiaku Veliaj ka mbështetje më të madhë nga qytetarët se sa ka në të vërtetë.

Propaganda e Erion Veliajt me 25 mijë pemët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk është mik i së vërtetës dhe në vitin 2019 me të vërtetë shkëlqeu me disa nga sekuencat e propagandës së tij. Një shembull i tillë është kur ai pretendoi se kishte mbjellë 25 mijë pemë brenda një pasditeje me ndihmën e dhjetëra vullnetarëve. Sigurisht, kjo nuk ishte e vërtetë dhe Exit foli me disa ekspertë me përvojë në projekte të tilla, të cilët hodhën poshtë plotësisht pretendimet e tij absurde.

Ndërkombëtarët: Ligjet për median në Shqipëri nuk respektojnë të drejtat e njeriut

Një delegacion ndërkombëtar për lirinë e mediave që vizitoi Tiranën në qershor shprehu shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së shtypit dhe mos përmbushjen e detyrimeve sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ata vunë në dukje se situata në Shqipëri ishte një nga më të këqijat në rajon dhe po përkeqësohej çdo ditë e më tepër.

Që nga vizita e tyre, gjërat janë përkeqësuar pasi qeveria socialiste miratoi “paketën anti-shpifje”.

Largimi masiv i shqiptarëve nga vendi

Një studim i fundit nga Gallup zbuloi se Shqipëria ishte në vendin e katërt në botë përsa i përket vendeve nga ku qytetarët e saj duan të largohen. Përpara Shqipërisë renditen vetëm Haiti, Liberia dhe Sierra Leone. Edhe sirianët ishin më të prirur të qëndrojnë në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta, sesa shqiptarët në Shqipëri.

Shqipëria gjithashtu renditet e para në “Indeksi i Largimit të Trurit” i cili mat numrin e të rinjve, të arsimuar që duan të largohen nga vendi përgjithmonë. 32 për qind e shqiptarëve të rinj e të arsimuar thanë se donin të largoheshin nga vendi për të mos u kthyer më.

Shqipëria dhe përkeqësimi i lirisë së medias

2019 nuk ishte një vit i mirë për lirinë e medias në Shqipëri. Ushtri me profile të rreme dhe komentues të paguar shikohen çdo ditë në mediat sociale, të gatshëm për të komentuar në çdo artikull që kritikon sadopak qeverinë. Përveç kësaj, propaganda dhe informacioni i njëanshëm që nxitet nga ministritë dhe bashkitë përmes mediave sociale dhe njoftimeve për shtyp të destinuara për ambasadat, vazhdon të rritet.

Si kryeministri Rama ashtu edhe kryebashkiaku Erion Veliaj nuk pranojnë të japin konferenca për shtyp ose t’u përgjigjen pyetjeve të ndonjë gazetari që ata nuk e kanë kopjuar dhe nuk kanë bërë vetting. Kryeministri madje ka edhe stacionin e tij televiziv – ERTV, nga ku më pas të gjithë televizionet marrin materialet e gatshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>