Rama: Ligji antishpifje i dakordësuar me OSBE

Rama: Ligji antishpifje i dakordësuar me OSBE

Gazetari i Agjensisë Spanjolle të Lajmeve (EFE) e pyeti Kryeministri Rama sot gjatë konferencës për shtyp në Vjenë mbi ligjin e medias në Shqipëri:

“Në dhjetor parlamenti  shqiptar miratoi një ligj kontraversial të medias që është kritikuar deri diku nga OSBE, nga përfaqësuesi i lirisë së Shtypit. Ju keni folur edhe me përfaqësuesit e OSBE-së, këtu në Vjenë. Desha të dija se cila është eksperienca deri më tani?”

Kryeministri Rama iu përgjigj:

“Informacioni nuk është i përditësuar sepse OSBE nuk e ka kritikuar ligjin. Ne kemi punuar me OSBE-në në mënyrë që të sigurohemi, të sqarojmë paqartësitë e vogla. Ju i referoheni një kritike gjatë kohës që bëhen diskutime.

Ligji në parlament ka mbështetjen e OSBE-së. Një ligj në përputhje me standardet e OSBE-së, për të gjetur zgjidhje me ato që ne po përjetojmë në median online dhe është pjesë e prioriteti tonë të heqim gjuhën e urrejtjes.”

Deklarata e Kryeministrit Rama u miratua në heshtje nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Greminger.

Ndërkohë, pas miratimit të ligjit, Harlem Desir, përfaqësuesi i Lirisë së Shtypit në OSBE tha në një intervistë ekskluzive për Exit News, tha se ligjet e miratuara kanë ende aspekte shqetësuese për lirinë e medias:

“Tani që ligji u miratua në Parlament, ne do të vlerësojmë versionin e miratuar. Prandaj ne nuk e konsiderojmë të përfunduar punën tonë. Ne jemi të vëmendshëm ndaj vërejtjeve dhe shqetësimeve të shoqërisë civile dhe aktorëve të medias.

Zbatimi i ligjit nuk duhet të pengojë në asnjë mënyrë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, dhe Zyra ime (OSBE-ja) do ta monitorojë nga afër atë.

Ligji kishte shumë çështje shqetësuese për ne, si regjistrimin e detyrueshëm të mediave online; dhe pezullimin, bllokimin ose mbylljen e faqeve online dhe mediave elektronike nga institucioni i kontrolluar nga qeveria AMA, në bazë të formulimeve të paqarta, të tilla si “morali publik” ose cënimi i “dinjitetit” të personit nga një botim.

Të gjitha këto nuk ishin në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.”

Kuvendi miratoi në 18 dhjetor 2019 dy ligje që në thelb vendosin nën kontrollin shtetëror mediat online. Pavarësisht kritikave të ashpra nga gazetarët vendas, organizatat e mediave lokale dhe ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat politike, shumica socialiste votoi pro projektligjeve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>