Shkarkimi i Dedes tregon përse ishte i nxituar krijimi i KED,KLP e KLGJ

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Shkarkimi i Dedes tregon përse ishte i nxituar krijimi i KED,KLP e KLGJ

Vendimi i sotëm i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të shkarkuar nga detyra kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja tregoi qartësisht se “urgjenca” me të cilën qeveria, BE-ja dhe SHBA-të nxitën formimin e paligjshëm të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë ka qenë e papjekur dhe e rrezikshme.

Bazuar në dispozita ligjore të cilat bien ndesh me përcaktimin e Kushtetutës për “procesin e plotë të rivlerësimit/vetingut” — sipas të cilit kalimi i vetingut quhet i plotë kur është marrë vendimi në të dyja shkallët, KPK dhe KPA —  javën e fundit u formuan tre insitucionet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Me vendimin për të shkarkuar nga detyra Bashkim Deden, Kolegji i Apelimit tregoi se hedhja poshtë e një vendimi të KPK-së nuk është thjesht mundësi teorike dhe dëshmoi se KPA po përmbush funksionet e saj si kontrolluesi vendimtar i vendimeve të KPK-së.

Bashkim Dedja u zgjodh anëtar i KED-it si përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese edhe pse çështja e tij ishte ende në shqyrtim në Kolegjin e Apelimit. Disa anëtarë të tjerë të KED-it, gjithashtu, janë në pritje të vendimit përfundimtar te KPA-së nëse do të jenë apo jo pjesë e sistemit të drejtësisë, ndërsa të tjerë nuk janë përballur ende me vetingun.

Me shkarkimin e Dedes, KED mbetet me 7 anëtarë nga 9 që parashikon Kushtetuta, dhe tre prej tyre ende nuk kanë kaluar vetingun, ndaj nuk mund të ushtrojnë detyrën në të. Në të vërtetë, i mbetur me vetëm katër anëtarë efektivë, KED nuk mund të mblidhet dhe të mund të marrë vendime.

Situata në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është e ngjashme me atë të KED-it. Komisioneri Publik ka apeluar vendimet për konfirmimin në detyrë të Gentian Osmanit dhe Antoneta Sevdarit, për të njëjtat arsye për të cilat u shkarkua Dedja: mosjustifikim të pasurisë.

Për shkak se KED nuk mund të zgjedhë anatarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, deri sa të gjithë kandidatët të kalojnë procesin e vetingut, largimi i Dedes nga KED-i nuk sjell ndonjë dëm të ndjeshëm.

Por jo e njëjta gjë mund të thuhet për anëtarët e KLP-së të cilët akuzohen për korrupsion dhe, në muajt e ardhshëm, do të kenë ndikim në formimin e prokurorisë shqiptare. Osmani, Sevdari dhe kolegët e tyre (disa prej të cilëve nuk përmbushin kriteret) do të zgjedhin Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe do të formojnë Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Byronë Kombëtare të Hetimeve (BKH).

Për më tepër ekziston dhe një rrezik tjetër serioz, krijimin e një rrethi vicioz që bllokon zbatimin e  reformës në drejtësi: ligji parashikon se anëtarët e KLP-së mund të shkarkohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese, por për momentin nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Pra, edhe nëse Osmani dhe Sevdari shkarkohen nga KPA — zhvillim për të cilin tashmë ka një precedent – është e paqartë nëse ata mund të shkarkohen nga KLP-ja. Ky është rezultat i një reforme të shkruar keq dhe me nxitim. Dhe, si gjithnjë, askush nuk do të mbajë përgjegjësi për të!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>