Formimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor duket se do të shtyhet ende, edhe pse procesi i vetingut për të gjithë kandidatët përfundoi sot. Kjo vonesë vjen si pasojë e mospasjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun për një prej vendeve në KLGJ, specifikisht për vendin e parashikuar për një gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës.
Sipas Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, anëtarët e KLGJ përcaktohen si më poshtë:
Neni 7/1
“Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas raportit të mëposhtëm:
- a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;
- b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;
- c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.”
KPK ka konfirmuar pesë gjyqtarë të shkallës së parë: Manjola Xhaxho (Tiranë), Marçela Shehu (Kurbin) Alma Brati (Tiranë), Brunilda Kadi (Tiranë) dhe Dritan Hallunaj (Shkalla e parë, Krimet e Rënda, Tiranë). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar tri vende në KLGJ.
KPK ka konfirmuar dy gjyqtarë nga një gjykatë apeli, Ilir Toska (Tiranë) dhe Nertina Kosova (Krimet e Rënda). Nuk ka kandidatë të tjerë nga gjykatësit e apelit, që do të thotë se një pozicion në KLGj (ai i rezervuar për gjykatën e apelit jashtë Tiranës) nuk mund të përmbushet me grupin aktual të kandidatëve.
Gjyqtari i vetëm i apelit jashtë Tiranës, Besim Trezhnjeva (Durrës), u shkarkua nga KPK më 13 prill dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi të njëjtin vendim.
Kjo do të thotë se duhet të hapet një raund i ri për gjyqtarë nga gjykatat e apelit jashtë Tirane, e sërish kandidatët duhet të përballen me vetingun, proces ky që do të shtyjë edhe më tej formimin e KLGJ-së.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë shpalli dje hapjen e një raundi të ri aplikimesh për gjyqtarët e apelit nga jashtë Tiranës. Gjyqtarët e interesuar mund të paraqesin dokumentacionin deri më 15 shtator 2018.
Ndërkohë nga kandidatët që vijnë nga Gjykata e Lartë, KPK konfimoi në detyrë Medi Bicin dhe shkarkoi Artan Zenelin. Kjo do të thotë se ka vetëm një kandidat për të plotësuar vendin në KLGJ. Momentalisht Medi Bici është i vetmi kandidat që e ka siguaruar vendin e tij në Këshillin e Lartë Gjyqësor.