Teatri Kombëtar, përgjigjia e Bashkisë Tiranë vërteton shkeljen e ligjit

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Teatri Kombëtar, përgjigjia e Bashkisë Tiranë vërteton shkeljen e ligjit

Gazeta Shqiptare botoi dje një artikull, në të cilin shkruhej se Bashkia e Tiranës nuk ishte “e informuar” për statusin aktual të procedurës së dyshimtë të tenderimit për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Artikulli u botua edhe në internet nga BalkanWeb, por më pas u hoq.

Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artikulli u hoq nga faqet pas presionit nga Bashkia e Tiranës. Kjo nuk do të ishte hera e parë që kryebashkiaku Veliaj tenton të censurojnë gazetarët.

Artikulli, shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli, fliste për disa pyetje drejtuar bashkisë për projektin e Teatrit Kombëtar: sa kompani kishin marrë pjesë në tender, cilat ishit ato dhe nëse ndonjë prej tyre kishte bashkëpunuar më parë me Bashkinë e Tiranës. Nikolli gjithashtu pyeti për se cilët janë zyrtarët e përfshirë në komisionin tenderit, dhe se kur do të shpallet fituesi. Afati i fundit për të marrë pjesë në tender ishte 19 shtatori.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.352, i 4 prillit 2019, në nenin 8 të dipsozitës II, parashikohet:

“Çdo dokumentacion i komisionit [të tenderimit] nënshkruhet nga kryetari dhe vuloset me vulën e Bashkisë Tiranë dhe protokollohet në protokollin e Bashkisë Tiranë. Dokumentacioni arkivohet dhe ruhet në arkivin e BAshkisë Tiranë.”

Gjithsesi, në përgjigjen e tij, Drejtori i Përgjithshëm Alban Dokushi, u shpreh:

“[J]u sqarojmë se Bashkia e Tiranës nuk është në dijeni të të gjithë procedurës që po mbahet nga ky komision pasi sipas përcaktimeve [të VKM-së] Bashkia e Tiranës do të pajiset me dokumentacionin e plotë vetëm në fund të këtij procesi.”

Në VKM nuk përmendet askund që dokumentacioni i procedurës së tenderit arkivohet vetëm pasi të ketë përfunduar i gjithë procesi. Kjo nuk është shumë e besueshme, pasi numrat e protokollit përdoren dhe për të organizuar procesin e brendshëm të komisionit. Prandaj, Bashkia e Tiranës duhet të ketë të paktën një listë të dokumenteve të përpunuara nga zyra e protokollit në dispozicion.

Bashkia gjithashtu nuk pranoi të zbulojë emrat e anëtarëve të komisionit.

Për më tepër, bashkia nuk pranoi të sqarojë se kur do të shpallet fituesi i tenderit, në vend të kësaj i referohet përsëri VKM nr. 352.

Sipas dispozitës VI, nenit 2 të VKM-së, komisioni duhet të shpallë fituesin e tenderit në afatet që parashikon neni 7, pika 6 e Ligjit Special për Teatrin Kombëtar. Sipas këtij ligji, komisioni duhet të shpallë fituesin brenda 30 ditëve nga dita e fundit e tenderit, që ishte 19 shtatori.

Me pak fjalë, komisioni i tenderit, i kryesuar nga Bashkia e Tiranës, aktualisht është duke shkelur afatet e përcaktuara me ligj duke mos publikuar listën e renditur të kompanive konkurrente.

Letra e Dokushit drejtuar Gazetës Shqiptare tregon, duke iu referuar VKM-së dhe Ligjit Special, paligjshmërinë e plotë të procedurës aktuale të tenderit.

Siç kemi raportuar gjerësisht në Exit.al, procedura e tenderit për Teatrin Kombëtar ishte hartuar në mënyrë të qëllimtë  për të favorizuar oligarkët kryesorë pranë qeverisë Rama. Kryeministri Rama ka konfirmuar disa herë që projekti i teatrit tw ri do të hartohet nga arkitekti daneze Bjarke Ingels, e cila ka bërë të qartë se Fusha shpk është klienti i saj për projektin.

Kryebashkiaku Veliaj ka theksuar publikisht se Teatri Kombëtar do të “shembet” “në një ditë me diell”.

Edhe pse procedura aktuale e tenderit anashkalon plotësisht legjislacionin e prokurimeve publike  që ekziston dhe duket i paracaktuar, Komisioni Evropian ka dalë në mbështetje të qeverisë Rama.

Ndërkohë, Partia Demokratike i ka kërkuar prokurorisë që të fillojë hetimet ndaj arkitektit danez Bjarke Ingels për bashkëpunim në një procedurë të paligjshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>