Vetingu, KPK shkarkon prokurorin Gentian Trenova

Vetingu, KPK shkarkon prokurorin Gentian Trenova

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra prokurorin e Apelit Tiranë, Gentian Trenova.

Sipas KPK-së, prokurori Trenova ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme për ta verifikuar atë. Nga seanca dëgjimore dihet se Trenova ka bërë deklarim të rremë në vlerën e rreth 12 mijë eurove dhe se ka ndryshuar pronësinë e një apartamenti në Tiranë, duke ja kaluar atë prindërve të bashkëshortes.

Përveç problemeve me deklarimin e pasurisë, KPK ka gjetur dy dosje të prokurorit ku hetimet nuk janë bërë deri në fund, një rast kishte të bënte me një të arrestuar që akuzohej për trafik droge, ndërsa rasti tjetër për një prokuror që akuzohej për korrupsion.

Avokati mbrojtës i Trenovës, Sajmir Lajmi e kundërshtoi vendimin duke thënë se KPK po përdor metodologji të gabuar për të bërë vetingun:

“Jemi paragjykuar në këtë process. Nuk na dhanë shpjegime se përse na hodhën poshtë argumentet. Presim shpalljen e vendimit për të mësuar se cili është shkaku i shkarkimit.”

Gentian Trenova ishte pjesë e listës prioritare të vetingut, pasi ai ishte përzgjedhur me short për të qenë pjesë ë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Zoti Trenova është anëtari i dytë i KED që përballet me vetingun dhe nuk e kalon atë. As anëtarja e parë Altina Xhoxhaj nuk u konfirmua në detyrë.  Besnik Imeraj, një tjetër kandidat i KED, dha dorëheqjen pa kaluar fare në procesin e vetingut.

Midis nëntë kandidatëve të mbetur të KED-it që aktualisht janë duke u shqyrtuar me prioritet nga KPK, nëse shkarkohen dy ose më shumë kandidatë, do të duhet të rihapet një raund të ri aplikimesh për KED, duke e vonuar kështu edhe më tej ringritjen e Gjykatës Kushtetuese.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>