Fillimi i keq i KLGJ-së: pas një viti e gjysëm, shumë shkelje, asnjë arritje

Nga Megi Ndregjoni
Fillimi i keq i KLGJ-së: pas një viti e gjysëm, shumë shkelje, asnjë arritje

Hartuesit e reformës në drejtësi kanë propaganduar gjatë se institucionet e reja të drejtësisë do të ishin zgjidhja e problemeve të sistemit gjyqësor—ato do të garantonin një sistem të pavarur e profesional të drejtësisë.

Tashmë, këto institucione—KLGJ, KLP, KED, Inspektori i Lartë i Drejtesisë, SPAK—janë krijuar, por që me veprimet e para të tyre ato kanë ngritur dyshime për pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre.

Rasti më i dukshëm është ai Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioni që administron sistemin gjyqësor, përfshi emërimin, pushimin dhe mbikqyrjen e gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

Më poshtë janë disa nga veprimet e debatueshme të KLGJ-së deri tani.

  1. Mbushja e Gjykatës së Lartë me gjyqtarë të përkohshëm

KLGJ u krijua në fund të vitit 2018. Prioriteti i saj i urgjent ishte plotësimi i Gjykatës së Lartë, mbetur me një gjyqtar, Ardian Dvoranin, edhe ai me mandat të mbaruar (gjyqtari tjetër i konfirmuar në detyrë, Medi Bici, shërben në KLGJ dhe mandati i tij në GJL është pezulluar për pesë vjet).

KLGJ synoi ta mbushte, menjëherë, Gjykatën e Lartë me gjyqtarë të transferuar përkohësisht nga gjykatat më të ulta, gjykatat e rrethit dhe të apelit, madje pa vënë kushte kalimin e vetingut prej tyre.

Ky veprim ishte i paparashikaur në asnjë ligj, dhe shkelte procedurat dhe kriteret kushtetuese për gjyqtarët që duhet të shërbejnë në Gjykatën e Lartë.

Përballë reagimit publik, KLGJ hoqi dorë nga kjo manovër antikushtetuese.

  1. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë pa veting

 KLGJ  vendosi, në fillim të korrikut 2019, të Gjykatës së Lartë, që vinë nga brenda gjyqësorit, të mund të zgjidhen edhe nëse nuk e kanë kaluar ende vetingun.

Vendimi i KLGJ për procedurat e përzgjedhjes caktoi një afat prej tre muajsh për Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve (KPK) që të kryente vetingun e të gjithë kandidatëve nga gjyqësori që kanë aplikuar për Gjykatën e Lartë.

Nëse KPK nuk arrinte të mbaronte vetingun brenda këtij afati, KLGj merrte vetë përsipër të bënte vlerësimin e kandidatëve, bazuar në dispozitat e Ligjit mbi Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky vendim do të thotë praktikisht ase anëtarët e gjyqësorit në GJL mund të zgjidhen pa kaluar vetingun.

Procesi i vetingut është proces kushtetues i përcaktuar ligjërisht, të cilin e kryejnë vetëm organet e vetingut. Çdo lloj vlerësimi tjetër, nga çdo institucion tjetër, nuk është dhe nuk mund të konsidroeht apo zëvendësojë procesin e vetingut në kuptimin kushtetutes dhe ligjor.

Për rrjedhojë, vendimi i KLGJ-së shkel standardin kushtetues që anëtarët e Gjykatës së Lartë mund të zgjidhen vetëm pasi kanë kaluar përfundimisht vetingun.

Vendimi i KLGJ-së sjell edhe një pasojë tjetër: zgjatjen e kohës për bërjen funksionale të gjykatës së lartë.

Nëse një gjyqtar i pavetuar i nënshtrohet për disa muaj procesit të përzgjedhjes në GJL dhe më pas shkarkohet nga vetingu, procedurat e përzgjedhjes duhet të fillojnë nga e para duke e kthyer procesin e mbushjes së GJL mbrapa me muaj të tërë.

Kjo gjë ndodhi në rastin e prokurorit Besnik Muçi, i cili u emërua në Gjykatë Kushtetuese pa patur  një vendim të formës së prerë të vetingut, dhe u përjashtua pak ditë mbas emërimit, duke e kthyer procesin për plotësimin e GJK mbrpasht me mbi gjashtë muaj.

  1. Uzurpimi i kompetencave të Gjykatës së Lartë në rastin Dvorani

Në fillim të marsit 2020 u emëruan tre anëtarë e parë të GJL, Ervin Pupe, Ilir Panda dhe Sokol Sadushi.

Me emërimin e tyre, do të duhej që zëvendësohej Ardian Dvorani, anëtari në detyrë i GJL-së me mandat të mbaruar që në vitin 2014.

Kushtetuta përcakton se zëvendësimi i anëtarëve të GJL bëhet në bazë të rradhës së mbarimit të mandatit—mandati i Adrian Dvoranit ka mbaruar shumë më herët se të gjithë anëtarëve e tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu.

Në zbatim të kushtetutës, GJL duhet të shpallte mbarimin e mandatit të tij, por ajo hezitoi.

Por, nisur edhe nga një kërkesë e Presidentit Meta, KLGJ vendosi ta shqyrtonte ajo mandatin e Dvoranit, duke shkelur dhe Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve , që përcakton qartë se të drejtën të vendosë për mandatin e anëtarëve të saj e ka vetë Gjykatës së Lartë.

Pas uzurpimit të kompetencave, KLGJ vendosi se nuk është në gjendje që të kuptojë vetë çfarë përcakton Kushtetuta dhe ligji për një rast si i Dvoasnit.

Por në vend që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, ose madje Komisionit të Venecias, për intepretim, ajo vendosi të marrë mendim jashtë sistemit të drejtësisë dhe jashtë institucioneve kushtetuese shqiptare.

Pa asnjë bazë dhe justifikim ligjor, KLGJ vendosi t’ja besonte këtë çështje të rëndësishme “partnerëve ndërkombëtarë” të papërcaktuar.

  1. Krijimi i një trupe “ndihmësish” jashtëligjorë në Gjykatën e Lartë

Së fundmi, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit  vendosi të marrë ndihmës ligjorë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të cilët do të ndihmojnë anëtarët e GJL për analizimin e dosjeve që presin të shqyrtohen nga kjo gjykatë.

KLGJ firmosi me Agjencinë amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar (USAID) një memorandum që parashikon krjimin pranë Gjykatës së Lartë të një trupe nëpunësish për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura (NUNÇP). Këta ndihmësa nuk do të punësohen nga Gjykta e Lartë por nga një organizatë privatë East Ëest Managemtn Institute, dhe do të përzgjidhen dhe punësohen jahstë standardeve kushtetuese dhe ligjore për ndihmësat ligjorë, edhe pse ata do të kryejnë kryesisht detyrën e ndihmësve ligjorë.

Memorandumi, praktikisht, privatizon një segment të rëndësishëm të drejtësisë, duke krijuar në Gjykatën e Lartë një trupë juridike, pa asnjë lidhje varësie e llogaridhënie në institucionet kushtetuese shqiptare dhe pa asnjë mekanizëm kontrolli ndaj saj.

Ky bilanc shkeljesh vjen kur, një vit e gjysëm pas krijimit, KLGJ ende nuk ka arritur të bëjë funksionale Gjykatën e Lartë dhe të ndikojë në përmirësimin e punës së gjyqësorit. Ky është fillim i keq, për një institucion që do të duhej të transformonte drejtësinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>