Debatit të vazhdueshëm për reformën në drejtësi, dhe specifikisht ligjit të vetting-ut, nuk mund t’i ikte Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. I qartë në ambiciet e tij për t’u bërë trashëgimtari politik i Edi Ramës, edhe këtë herë Veliaj ka nxituar të jetë përkrah qëndrimeve të Kryeministrit, megjithëse çështja në fjalë e prek pak ose aspak. Gjithsesi, ai ka gjetur një justifikim. Në një nga daljet e tij të vazhdueshme publike, Erion Veliaj ka deklaruar :
Kemi disa kantiere në Tiranë ku kemi ecur jashtëzakonisht shpejt, por imagjino sa shpejt mund të ecnim nëse nuk do të kishim këto vonesa, të cilat na çojnë në seanca pa fund gjyqesh dhe kur vjen puna, zbulon që një i fortë, një njeri që nuk pranon të bashkëpunojë me bashkinë për të liruar një hapësirë të zaptuar që e ka marrë me të pa drejtë, vetëm për faktin se ka fuqi blerëse te një gjyqtar, bllokon punën e bashkisë për muaj të tërë
Pra, sipas kryebashkiakut Veliaj, gjyqësori shqiptar favorizonka pronarë legjitim, ose jo, të pronave dhe bllokonka nismat e qeverisë për investime publike. Në fakt, e vërteta është komplet ndryshe: Gjykata e Strasburgut në mënyrë të vazhdueshme ka dënuar qeverinë shqiptare për problemet e pronave dhe dëmshpërblimeve me to.
Ashtu siç kemi shpjeguar më parë, rrëmbimi i pronës private nga Bashkia për hir të interesave të klientëve të saj, nën justifikimin për rizhvillimin e zonave të qytetit, është pjesë themelore e Masterplanit Tirana 030. Megjithëse e veshur nën petkun e planit urbanistik, kjo praktikë po kryhet vazhdimisht nga qeveria shqiptare, sidomos në zonat e vlefshme turistike. Nga ana tjetër, vendimet e vazhdueshme të qeverive shqiptare kundër pronarëve po kthehen në një barrë të madhe për buxhetin publik. Së fundmi, në Gjykatën e Strasburgut, shteti shqiptar ka humbur gjyqe ndaj ish-pronarëve me vlerë totale prej rreth 12 milion dollarë. Akoma më tej, 82 raste të tjera janë nën shqyrtim me një vlerë totale prej rreth 550 milion dollarë.
Bashkia e Tiranës gjithashtu nuk ka një të shkuar të ndritur në lidhje me shpronësimet. Ndërhyrjet e saj për prishjen e ndërtimeve të prekur nga projektet “Unaza e Vogël” dhe “Bulevardi i Ri” janë shoqëruar me përplasje fizike mes pronarëve dhe forcave të policisë pasi vlera e shpronësimit konsiderohej nga pronarët si qesharake në raport me çmimet e tregut. Me shumë gjasa edhe këto raste do enden për vite nëpër gjykatat kombëtare e ndërkombëtare.
Nëse bazohej në këto fakte, dhe jo në imagjinatën e tij, Erion Veliaj duhet t’i trembej shumë një reforme në drejtësi që do çlironte gjykatat kombëtare nga presioni politik. Një gjykatë e pavarur, si ajo e Strasburgut, do të kthehej në pengesë te tentativave shtetërore për t’u rrëmbyer pronën pronarëve, pavarësisht justifikimeve që përdor Bashkia. Ashtu si në rastin e debatit për ndërtimin e shkollave me koncesion, Veliaj tregon një mosnjohje të thellë e të përsëritur për problemet ligjore dhe ekonomike të vendit. Me sa duket, për Veliajn avancimi i karrierës politike mbetet më e rëndësishme se sa zgjidhja e problemeve të vërteta të vendit.