Çfarë dimë deri më tani për projektin e Unazës së Re dhe protestën e banorëve – Exit shpjegon

Çfarë dimë deri më tani për projektin e Unazës së Re dhe protestën e banorëve – Exit shpjegon

Teksa qeveria nuk ka bër publikë asnjë informacion në lidhje me projektin dhe procedurat për ndërtimin e Unazës së Re, Exit.al sjell më poshtë faktet që dimë deri më tani për këtë çështje.

Si kanë rrjedhur ngjarjet:

2 maj 2018 – Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj bënë publike imazhet kompjuterike (renderat) e dy projekteve: Unazës së Madhe dhe Hekurudhës Tiranë-Durrës. Ata nuk përmendën asgjë lidhur me shpronësimin e qytetarëve që kishin shtëpitë apo bizneset në këtë zonë.

5 nëntor 2018 – Zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Policia Bashkiake kanë bërë shenja në formë kryqi në disa ndërtesa në anë të Unazës së Madhe. Të pyetur nga pronarët e tyre për këtë veprim, oficerët i kanë thënë banorëve se duhet të linin shtëpitë e tyre brenda 15 ditëve, në mënyrë që t’i hapnin rrugën ndërtimit të unazës. Sipas oficerëve, pronarët kishin dy zgjedhje: t’i shembnin vetë shtëpitë e tyre, ose ta linin qeverinë ta bënte shembjen dhe të paguanin një gjobë prej rreth 5 mijë eurosh për shërbimin.

Procesi i shembjes që duket se ka filluar, dhe dështimi i qeverisë për të ofruar informacion, për të bërë siç parashikon ligji, konsultimin dhe kompensimim e duhur për banorët e zonës, bëri që këta të fundit të protestojnë. Policia arrestoi disa prej protestuesve.

Pesë institucione qeveritare të përfshira në këtë proces njoftuan se projekti kërkon shembjen e 317 pronave private, 123 prej të cilave janë legalizuar, 22 të skualifikuar nga legalizimi dhe 163 ende në procesin e legalizimit.

7 nëntor 2018 – Exit.al zbuloi informacione të reja mbi shpalljen e kompanive fituese për tre lotet e projektit. Me këtë informacion, dalin në dritë problematika të tjera. Kostoja totale e projektit arrin në rreth 40 milionë euro për një rrugë 2.2 km të gjatë, e cila është një kosto jashtëzakonisht e lartë dhe detajet se si do të ndahet kjo kosto në zëra nuk janë bërë ende publike.

Ofertat fituese për secilën nga tre lotet janë pothuajse të barabarta (100%, 99.8% dhe 99.1%) me fondin limit të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit. Kompanitë fituese janë klientë të zakonshëm të qeverisë Rama – Biba X dhe DH Albania, Salillari shpk dhe Viktoria Invest Internacional.

Biba X nuk ka asnjë përvojë në ndërtimin e rrugëve – e regjistruar që në vitin 2002, vetëm më 15 tetor 2018, ortaku i vetëm, Barush Biba ka ndryshuar objektin e kompanisë duke shtuar objektin “ndërtim rrugësh, ndërtime civile, rikonstruksion godinash fasadash”. Nga viti 2013 deri më tetor të 2018 kompania ka qenë vazhdimisht nën sekuestrim për fatura të pashlyera ndaj kontraktorëve të ndryshëm, të cilët kanë marrë urdhëra gjyqësore kundër kompanisë deri në shlyerjen e detyrimeve. Biba-X ka qënë nën sekuestro edhe gjatë periudhës kur ka konkuruar në tenderin e rrugës së re, duke konkuruar kështu në shkelje të ligjit.

DH Albania është kompani e regjistruar në Shqipëri më 18 korrik 2018 si degë e një kompanie të huaj Dunwel Haberman ltd, me përfaqësues ligjor 26 vjeçarin Avdjol Dobi. Kompania mëmë, Dunwel Haberman ltd është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaware të SHBA-ve dhe duket të jetë një kompani rafti—kompani pa aktivitet, e krijuar për t’u shitur në letër. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si përfaqësuese ligjore e kompanisë mëmë është regjistruar Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore e Ishujt Sejshell. Kompania mëmë ka një faqe online e cila është krijuar më 2 korrik 2018, pak më shumë se dy javë para se ajo të regjistronte degën e saj në Shqipëri. Në faqe nuk ka asnjë informacion për personat drejtues të kompanisë dhe asnjë informacion për angazhimet e saj në të shkuarën.

Salillari shpk dhe Viktoria Invest Internacional janë dy nga kompanitë që vazhdimisht fitojnë tenderë nga buxheti i shtetit.

Në tenderët për secilin lot morën pjesë vetëm dy ofertues: kompanitë fituese dhe një kompani e quajtur Vëllezërit Hysa – e cila është një kompani fantazmë që nuk ofron asnjë ofertë, por ka si qëllim vetëm të “legjitimojë” tenderin si të rregullt dhe me konkurrencë. Në përgjithësi, procesi i tenderimit ka qenë jo transparent dhe me sa duket fiktiv.

13 nëntor 2018 – Pas protestës së qytetarëve para Bashkisë, kryebashkiaku Veliaj i quajti protestuesit “shpellarë” dhe “primitivë”, duke shprehur vendosmërinë e tij në zbatimin e një projekti që qeveria ende nuk e ka zbuluar.

Po të njëjtën ditë, kryebashkiaku Veliaj premtoi kompensim për pronarët e ndërtesave plotësisht të legalizuara dhe i ofroi pagesën e qirasë për tre vjet, banorëve të tjerë. Procesi i legalizimit për ndërtesat e tjera u ndalua. Deri më tani nuk ka asnjë dokument zyrtar që tregon se Veliaj ka nisur procedurat për të zbatuar premtimet e tij.

Kryebashkiaku Veliaj gjithashtu premtoi “bonuse” për familjet shtëpitë e të cilave do të shkatërrohen. Megjithatë, qeveria është e detyruar nga ligji të ndjekë një procedurë të hollësishme që zgjat 75 ditë, pas së cilës njerëzit e prekur mund ta dërgojnë rastin në Gjykatën Administrative. Qytetarët e prekur nuk kërkojnë trajtim preferencial përmes “bonuseve”; ata duan vetëm zbatimin e ligjit dhe drejtësi.

Shkeljet më të dukshme të Qeverisë dhe të Bashkisë në këtë proces përbëjnë shkelje të së drejtës kushtetuese të pronës; shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 8, i cili gjithashtu lidhet me të drejtën e pronës); shkelja të Konventës së Aarhusit, e cila garanton qasjen e qytetarëve në informacion dhe pjesëmarrje në të gjitha vendimet që lidhen me mjedisin e tyre; shkelje të njërit prej pesë kushteve për hapjen e negociatave të pranimit në BE, përkatësisht “zbatimin e të drejtave të njeriut”, duke përfshirë të drejtat e pronës; shkelje të një sërë ligjesh lidhur me transparencën, qasjen në informimin publik, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe të drejtat mjedisore të qytetarëve.

17 nëntor 2018 – Qeveria i ndërpreu energjinë elektrike ndërtesave që pritet të shemben.

22 nëntor 2018 – Pas protestave të tyre të përditshme, banorët e zonës Astir u mblodhën para Parlamentit në një protestë më të madhe. Përleshjet me forcat e policisë çuan në disa protestues dhe policë të plagosur, si dhe dhjetëra protestues të arrestuar.

Në fjalimin e tij në Parlament teksa jashtë banorët protestonin, kryeministri Edi Rama u tha protestuesve se shtëpitë e tyre të paligjshme do të shkatërroheshin pa asnjë kompensim dhe se vetëm 40 ndërtesa të legalizuara do të marrin kompensim. Kryeministri Rama kërcënoi se qeveria do të ngrejë padi kundër atyre që kanë legalizuar këto ndërtesa. Kryeministri Rama përsëriti “bonusin”,qiranë 3-vjeçare për familjet në nevojë që kanë shtëpi të paligjshme.

23 nëntor 2018 – Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare publikuan një tabelë prej 10 rreshtash, duke dhënë informacion më të hollësishme për koston e rrugës. Në fakt, tabela ofron vetëm një ndarje të pjesshme të shpenzimeve të projektit, por është larg kërkesave minimale për transparencë. Edhe një herë qeveria nuk zbulon se si filloi projekti, procedurat e ofertimit të plotë dhe përzgjedhjen e kompanive fituese, si dhe parashikimet mbi volumin e punëve që do të kryhen gjatë zbatimit të projektit. Gjithashtu, ky njoftim nuk informon banorët për procedurat që do të ndiqen lidhur me kompensimin e tyre.

Agjencia Shqiptare Telegrafike , agjencia e lajmeve publike e kontrolluar nga qeveria, deklaroi se informacioni mbi procesin e tenderimit dhe kompanitë fituese publikohet i plotë në faqen e internetit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por kjo nuk është e vërtetë.

Exit.al zbuloi se projekti i Unazës ishte konceptuar, projektuar dhe dizajnuar falas nga njëra prej kompanive fitues, dhe më pas u miratua nga Autoriteti Rrugor Shqipërisë (ARRSH). Kostoja e këtyre shërbimeve, pra e projektit teknik normalisht arrin në 1.2-1.5 milion euro. Më parë kryeministri Rama dhe kryetari Veliaj kishin deklaruar se projekti ishte hartuar sipas kërkesave të qeverisë. Kryetari i ARRSH, i ftuar në emisionin Opinion, tha se nuk kishte asnjë ide se pse kompania kishte ofruar një shërbim kaq të shtrenjtë falas.

Në ditën e 20-të të protestave, banorët e gjejnë veten ende pa informacion të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre lidhur me planin e qeverisë për shkatërrimin e shtëpive e bizneseve të tyre dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë informacion për procedurat që ka ndjekur qeveria në këtë tender shumë të kushtueshëm dhe diskutueshëm.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>