E vërtet/ E rreme– Dhjetori i protestave të studentëve

Nga Alice Elizabeth Taylor
E vërtet/ E rreme– Dhjetori i protestave të studentëve

Në këto 11 ditë studentët shqiptarë kanë mbushur rrugët në protesta për të kërkuar përmirësim të arsimit, të drejtave të tyre dhe të kushteve në të cilat janë detyruar të jetojnë. Nëse jeton në Tiranë, me shumë mundësi i ke parë tek marshojnë, i ke dëgjuar tek thërrasin, apo ke parë foto të tyre në mediat sociale. Por për se bëhet fjalë?

Qartsimi i së vërtetës mund të jetë sfidë e vështirë përballë fushatës mediatike të kopsitur me kujdes nga qeveria. Kjo bëhet akoma më e vështirë nëse je lexues në gjuhën angleze. Materialet e dërguara ambasadave dhe agjencive të huaja të lajmeve mund të të hutojnë edhe më tepër. Ndaj edhe vendosa të shkruaj për faktet e kësaj gjendjeje, ashtu siç i shoh unë.

Për 11 ditë studentë nga e gjithë Shqipëria kanë protestuar kundër politikave të reformës në arsim të ndërmarrë nga Qeveria Rama përmes Ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Ngjarja që nxiti protestat ishte miratimi i VKM-së 288 më datë 21 maj 2018, dhe në veçanti Neni 4, që parashikonte tarifa shtesë për studentët që kishin për të përsëritur provime. Tarifa prej 67 lekësh për kredit për provimet e mbartura apo të përsëritura do të thotë se studentit mund t’i duhej të paguante deri në afro 600 lekë për provim.

Gjithashtu reforma i hapi rrugë edhe kalimit të fondeve publike për arsimin tek universitetet private, të cilat shpesh janë të lidhura me parti politike, duke u dhënë atyre mundësinë “të konkurrojnë” për fonde dhe studentë. Si rezultat, arsimi publik u bë edhe më i shtrenjtë, edhe më pak i hapur. Ndërkohë korrupsioni dhe plagjiatura janë të përhapura në fakultete dhe konviktet nuk kanë as kushtet minimale.

Përveç anulimit të këtij neni, studentët kërkuan edhe sa vijon:

  • 50% ulje të tarifave universitare
  • Përmirësim i kushteve në konvikte
  • Shtimi i një studenti në bordin e universitetit, duke barazuar numrin e përfaqësuesve nga universiteti dhe nga Ministria e Arsimit, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë.

Në ditën e parë dhe pjesërisht në të dytën protestat u bojkotuan nga mediat më të mëdha në vend. Si rrjedhojë, mediat sociale u mbushën me video, transmetime të drejtpërdrejta në Facebook, apo me fotografi. Pas këtyre reagimeve, mediat tradicionale, krah portaleve, nisën të paraqesin përditë protestat dhe ngjarjet e lidhura me to.

Në ditën e tretë të protestave studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës paraqitën një listë tjetër me 10 kërkesa:

1- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;

2- Rritja e buxhetit për arsimin me 8 për qind të GDP-së, buxheti për vitin 2019;

3- Reduktimi tarifës me 30 për qind për vitin akademik 2018 – 2019;

4- Reduktimi tarifes me 50 për qind për vitin akademik 2019 – 2020;

5- Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;

7- Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;

8- Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;

9- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;

10- Rritja nga 10 për qind në 40 për qind e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20 për qind.

Më 6 dhjetor, Këshilli i Ministrave vendosi të anulojë Nënin 4 të VKM 288, ndërsa kërkesat e tjera u injoruan dhe protestat u bënë akoma më të mëdha.

Më 11 dhjetor, në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut, Edi Rama i kërcënoi protestuesit.

[…]Për mua, që ta dini ju, është gjëja më e lehtë të kërkoj në qeveri një manovër taktike që shuan protestën[…]

Në mbrëmjen e 11 dhjetorit, në programin Top Show të Alban Dudushit disa studentë dolën përpara kamerave dhe folën për protestën në një mënyrë që përkrahte Qeverinë Rama. Më vonë doli se këta “studentë” ishin anëtarë të forumeve të Partisë Socialiste, ose simpatizantë të saj, që ishin sjellë aty si “të pavarur”. Ata u hoqën sikur po ankoheshin, pastaj “pranuan” përgjigjet e Edi Ramës dhe madje i thanë edhe “faleminderit që po na lë të protestojmë”. Studentët u identifikuan menjëherë teksa flisnin, ndërsa drejtuesi i programit, Alban Dudushi u përgjigj se “Nuk na duhet se ç’bëhet në mediat sociale”. Në vijim, Edi Rama nisi të ndërpriste fjalën e studentëve dhe, pa ndonjë arsye të kuptueshme, u kthye nga kamera dhe tha “Nuk jam narkotrafikant, nuk jam kriminel, nuk kam vjedhur”. Si rezultat, studentët kanë kërkuar që Top Channel të mos jetë në protestat e tyre.

Në 12 dhjetor, 24 OJQ shqiptare dhe të huaja kërkuan rritjen e buxhetit të arsimit në 5 për qind të PBB, duke theksuar se shifra prej 3,3% e PBB që shpenzohet tani është shumë më e ulët se vendet e tjera evropiane.

Në të njëjtën ditë, policia nisi procedime penale ndaj 25 studentëve dhe protestuesve, duke përfshirë edhe artistë, mësuesë dhe avokatë. Në këtë grup kishte edhe kundërshtues të zëshëm të politikave të qeverisë në arsim, planifikim urban, PPP, ndërtime private në tokë publike etj.

Ata u akuzuan për protesta të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente, për prishje të rendit dhe qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit – që janë akuza të panevojshme dhe në shkelje të të drejtave të njeriut të protestuesve paqësorë.

Më 12 dhjetor, protesta kaloi përpara Parlamentit dhe një grup protestuesish vendosën të qëndrojnë jashtë Kryeministrisë përgjatë gjithë natës.

Ndërkohë që organizata evropiane të studentëve, si Unioni i Studentëve Evropianë dhe Shoqata Erasmus Mundus, i kanë mbështetur protestat e studentëve, ashtu siç kanë bërë shumë OJQ, organizata dhe media të huaja, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane në Shqipëri kanë qëndruar të heshtur, pavarësisht thirrjeve për mbështetje.

Përgjatë gjithë protestave të tyre, studentët nuk kanë pranuar të hyjnë në bisedime me qeverinë. Për sa kohë që ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre të qarta dhe kanë sqaruar se nuk do të tërhiqen, për ta negociatat janë një shmangie e panevojshme e vëmendjes. Studentët kanë qenë të vendosur në këtë pikë dhe këtë ia kanë transmetuar vazhdimisht medias dhe të interesuarve. Ata kanë thënë edhe se do të negocionin me kënaqësi për afatet e realizimit, apo për çështje të tjera, pasi qeveria t’i ketë pranuar kërkesat e tyre.

Më 12 dhjetor, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u duk se kishte dhënë dorëheqjen, por një ditë më vonë ajo tha në Parlament “Unë nuk dorëhiqem. Jam krenare për forcën politike që përfaqësoj”. Megjithëse fitimet e saj si ministre arsimi janë diku tek 20-30 mijë eurot në vit, Lindita ka arritur ta dërgojë vajzën për studime në Paris (arsimi publik në vend është i mirë për njerëzit e rëndomtë, por me sa duket jo për vajzën e saj të dashur), si dhe ta zbukurojë pamjen e vet me bizhu me vlerë dhjetëra mijëra euro. Ajo është përgjegjëse edhe për sistemin e kopshteve për fëmijë, ku drejtorë me lidhje politike lejohen të rrahin fëmijë, të abuzojnë me stafin dhe të kërcënojnë prindërit, pa u hyrë gjemb në këmbë.

Më 13 dhjetor, studentët protestuan në dy grupe tek Parlamenti dhe tek Kryeministria. Ata u shfaqën të vendosur për të mos i ndalur protestat, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Duhet theksuar se disa nga studentët ia kanë ndaluar disa personave pjesëmarrjen në protestën e tyre, duke përfshirë protestuasit e zonës së Astirit kundër prishjes së shtëpive dhe protestuesve kundër rritjes së çmimit të karburantit. Ata kanë thënë vazhdimisht se nuk duan përzierjen e partive politike, pasi kjo “nuk është një protestë politike”, edhe pse sloganet dhe thirrjet e tyre janë në mënyrë të dukshme politike. Duke e lënë mënjanë këtë, studentët po protestojnë paqësisht dhe të vendosur dhe unë i mbështes plotësisht në refuzimin për të nisur një dialog me qeverinë dhe në kërkesat për të drejtat e tyre, për të drejtat e tua, të fëmijëve të tu dhe të fëmijëve të fëmijëve të tu.

Gjithashtu, unë i bëj thirrje të huajve që jetojnë në Shqipëri, që të mos e neglizhojnë këtë gjendje në vend. Si miq në një vend të huaj, ne duhet të respektojmë të drejtën e tyre për të protestuar për përmirësimin e jetës. Është detyra jonë që të ngremë zërin kundër padrejtësive, disa prej të cilave i përmenda më sipër. Flisni për këto çështje, shpërndajini artikujt, qëndroni përreth protestave, bëni fotografi dhe postojini në rrjetet sociale – kjo punë ju prek edhe ju.

“Arsimi është arma më e fortë që mund të përdorësh për të ndryshuar botën.”
– Nelson Mandela

Publikuar fillimisht tek The Balkanista

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>