EURALIUS: Vetingu mbaron në 2021

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
EURALIUS: Vetingu mbaron në 2021

Për herë të parë që nga fillimi i procesit të vetingut, EURALIUS, misioni i asistencës në drejtësi i financuar nga BE, dha një afat për përfundimin e reformës në drejtësi dhe të vetingut.

Në një prezantimi gjatë diskutimit të djeshëm të organizuar në zyrat e CILC në Hagë, një nga organizatat që ka fituar tenderin për zbatimin e programit EURALIUS V, drejtuesja e ekipit Agnes Bernharrd sugjeroi se vetingu supozohet të mbarojë brenda tre vjetësh, në vitin 2021, fiks në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kalendari i dhënë prej saj duket se nënkupton se krijimi i tre institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, përfshi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) do të ndodhë në fund të vitit 2018. Për sa kohë sa këto tre institucione nuk janë krijuar, do të vazhdojë mosfunksionimi i plotë Gjykatës Kushtetuese, paralizimi i Gjykatës së Lartë dhe paligjshmëria në sistemin e prokurorisë.

Gjatë diskutimit në Hagë, zëvendës drejtori i CILC Eric Vincken i dha zë shqetësimeve të tij në lidhje me përparimin e ngadaltë të vetingut, dhe foli për frikën e tij në “humbjen e vrullit” e skenarin në të cilin gjyqtarët dhe prokurorët e mbetur pas vetingut nuk do të kenë mjetet për të rindërtuar një sistem të ri drejtësie.

Progresi i ngadaltë i vetingut, vetëm me një dëgjesë në javë (dhe tani për tani pa asnjë dëgjesë të re të planifikuar për javët e ardhshme), është pjesërisht rezultat i vendimit të qeverisë Rama për të shkurtuar 40 për qind të punonjësve të kërkuar në institucionet e vetingut. Edhe pse procedura e vetingut pritet të vazhdojë me katër dëgjesa të njëkohshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) aktualisht po punon me 25 për qind të kapacitetit të planifikuar.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u përgjigj se ai priste që KLP, KLGJ dhe KED të krijohen përpara verës—një deklaratë e bërë edhe nga Ambasadori Amerikan Donald Lu—pamundësinë e së cilës e diskutuam muajin e shkuar.

Ministri Xhafaj më tej deklaroi se prurjet e reja të studentëve nga Shkolla e Magjistraturës, dhe “disa qindra” studentë të cilët do të fillojnë shkollën vitin e ardhshëm, do të mbushin boshllëkun në personel që do të krijohet në të gjitha degët e sistemit të drejtësisë. Por, sikurse Exit.al e ka shpjeguar më parë, Shkolla e Magjistraturës nuk mund të pranojë studentë të rinj për aq kohë sa nuk janë krijuar KLP dhe KLGJ.

Në fund, Ministri Xhafaj deklaroi se reforma në drejtësi do të lejojë, gjithashtu, plotësimin e boshllëqeve në Gjykatën Kushtetuese me këshilltarë ligjorë, pa asnjë përvojë të mëparshme si gjyqtarë. Aktualisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimi (KPK) po kalon në veting tre ish-këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese për t’i emëruar gjykatës së Gjykatës Kushtetuese: Valboan Bala Pajo, Arta Vorpsi, dhe Elsa Toska.

Të treja “prurjet” e gjyqtarëve dhe prokurorëvë të rinj, të përmendur nga Ministri Xhafaj—të sapo diplomuarit, të diplomuarit e ardhshëm dhe promovimi i këshilltarëve ligjorë—nuk duket se do të kompensojnë dot humbjen masive të personelit që pritet të ndodhë nga procesi i vetingut. Nga 22 gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë marrë vendimin përfundimtar të KPK-së vetëm 14 përqind janë rikonfirmuar në detyrë.

Edhe nëse kjo përqindje do të rritej artificialisht, të themi deri në 50 për qind, kjo do të thotë se personeli i sistemit të drejtësisë do të shkurtohet me 400 punonjës në përfundim të vetingut, pra deri në fund të vitit 2021. Ndërkohë, Shkolla e Magjistraturës për 2018-ën nxori 16 të diplomuar.

E vetmja zgjidhje për këtë problem, me shumë gjasa, do të vijë me anë të vazhdës së ligjeve të posaçme, miratuar në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste, që do ta politizojë më tej një reformë në drejtësi, e cila —me anë të një skenari pak a shumë utopik—kishte për qëllim të depolitizonte sistemin e drejtësisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>