KLSH: Qeveria ka devijuar shifrat, PPP-të jashtë kontrollit

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
KLSH: Qeveria ka devijuar shifrat, PPP-të jashtë kontrollit

“Monitorimi i kontratave koncesionare, deri tani ka rezultuar jashtë kontrollit shtetëror dhe me problematika të shumta.”

Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportit e Buxhetit Faktik për vitin 2018, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për përdorimin e PPP-ve dhe mungesës së kontrollit ndaj tyre.

Problemet me zbatimin e buxhetit 2018 nga qeveria, sidoqoftë, janë më të shumta se sa thjeshtë PPP-të.

Në hyrje të raportit, KLSh shprehet:

“Në opinionin tonë, bazuar në evidencat e auditimit, […] rezulton se për disa zëra buxhetorë, përfshirë nivelin e deficitit dhe borxhit publik, ka devijime materiale dhe të përhapura në drejtim të hartimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit jo në përputhje me Ligjin nr. 109/2017, datë 30.11.2017, “Për buxhetin e vitit 2018” […]. (faqja 1)”

Raporti thekson se shumë prej shkeljeve janë kryer me qëllim që borxhi publik të shfaqet më i ulët se sa është në të vërtetë, me fjalë të tjera, për të treguar se shteti shqiptar ka ‘shëndet të mirë’ financiar dhe fiskal:

Në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mos planifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pa mbështetura me plan buxhetor, mos lejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mos raportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetor, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetor brenda kufijve të miratuar.

Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskal, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018.

Procesi i ekzekutimit të buxhetit të shtetit nëpërmjet sistemit të thesarit nga të gjitha hallkat, rezulton me thyerje të përhapura të zbatimit të kontrolleve dhe masave parandaluese, detektuese, dhe korrigjuese që do të garantonin disiplinimin fiskal të sektorit publik. (faqja 1-2)”

Me pak fjalë, kjo do të thotë se Ministria e Financave ka raportuar një deficit buxheti në masën 1.6 për qind të PBB-së shqiptare, por që në realitet deficiti është 2.2 për qind, që është mbi kufirin ligjor që parashikon se deficiti nuk mund të jetë më i lartë se 2 për qind.

Gjithashtu borxhi publik është dukshëm më i lartë, rreth 69.7  përqind, krahasuar me 67.2 për qind, shifrën zyrtare të raportuar nga Ministria e Financave.

Mënyra se si qeveria u përpoq për të fshehur këtë deficit më të lartë është pjesërisht duke bërë pjesën më të madhe të shpenzimeve të saj në dhjetor, duke krijuar kështu “paqëndrueshmëri fiskale”.

KLSH shkruan se qeveria ka bërë “32 për qind të realizimit të Investimeve me Kapital të Brendshëm në muajin Dhjetor”.

KLSH thekson se “veprime të tilla, në krahasim me parimet dhe rregullat e funksionimit të sistemit buxhetor, tregojnë një planifikim të dobët të investimeve publike nga institucionet buxhetore si dhe një monitorim të pamjaftueshëm nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë […] ”.

Ka shumë gjasa që i njëjti skenar të përsëritet edhe këtë vit. Sipas Revistës Monitor, 1200 institucione shtetërore, përfshi dhe institucionet e reja të vetingut, deri më tani nuk kanë arritur të bëjnë pagesa të rregullta të sigurimeve shoqërore në kundërshtim të qartë të ligjit.

Sërish pritet që një pjesë e madhe e tyre të bëhen përsëri në dhjetor, veprim që i ka lejuar qeverisë të vazhdojë të projektojë shifra ‘më të shëndetshme’ sesa janë realisht përgjatë gjithë vitit.

Për më tepër, qeveria ka shumë pagesa të prapambetura dhe një pjesë e mirë e tyre janë si rezultat i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, përfshirë kompensimin për zyrtarët e pushuar nga puna si rezultat i “pastrimit” në shkallë të gjerë të administratës publike nga Partia Socialiste.

Duke marrë parasysh marrjen e plotë të pushtetit vendor këtë vit gjatë zgjedhjeve me një partiake, këto kosto pa dyshim që do të rriten këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Kur bëhet fjalë për fatura të papaguara, Bashkia e Tiranës renditet në vend të parë. Në total, bashkia e  kryebashkiakut Erion Veliaj i detyrohet rreth 35.4 milion euro fatura të papaguara kontraktuesve privatë dhe nëpunësit civil të larguar nga detyra. Çuditërisht, nga ministritë është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me shumën më të madhe të papaguar, rreth  26.2 milion euro.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është drejtpërdrejt përgjegjëse për shumicën e PPP-ve, të cilat meritojnë konsideratë të veçantë, pikërisht sepse kryebashkiaku Veliaj i vlerësoi ato si “skema novative” ndërsa ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri i përshkroi si forma investimi “të suksesshme” dhe “të kontrollueshme”.

KLSh i hedh poshtë plotësisht këto pretendime:

“KLSH konstaton se monitorimi i kontratave koncesionare, deri tani ka rezultuar jashtë kontrollit shtetëror dhe me problematika të shumta fakt që ngre problemin e cilësisë së përgatitjes së kontratës dhe indikatorëve të matshëm mbi monitorimin e shërbimeve për të cilat janë lidhur këto kontrata. (faqja 53)”

Një rast i tillë është koncesioni i Rrugës së Kombit, të cilin qeveria ia dha konsorciumit mes Salillarit dhe Kastratit, të dyja firma të mëdha oligarkike me lidhje të ngushta me qeverinë Rama. Gjatë vitit 2019, shteti u detyrua t’i paguajë 5.6 milion euro shtesë kompanisë koncesionare,për shkak të defekteve në kontratë, përveç pagesave të parashikuara.

Përfundimet e KLSH-së në këtë raport mbështesin kritikat e shumta të institucioneve ndërkombëtare kundër përdorimit të PPP-ve nga qeveria Rama. Disa prej tyre janë Gjykata Europiane e Auditit , Rrjeti Evropian për Borxhet dhe Zhvillimin, FMN, BERZH, Banka Botërore dhe Komisioni Europian.

Më tej, KLSh këmbëngul në klasifikimin e kostove të PPP-ve si borxh public, siç këshillojnë dhe standardet e kontabilitetit ESA 2010, të cilat deri më tani qeveria Rama i ka shmangur, me qëllim uljen artificiale të borxhit publik:

“Rrjedhimisht e gjithë analiza e kryer me qëllim verifikimin e përmbushjes së kushteve për klasifikimin jashtë bilancit dhe mos përfshirjen në borxh publik rezulton të jetë e pavlefshme duke qenë se vetë standardet në të cilat bazohet VKM dhe janë kryer vlerësimet, janë zëvendësuar me standarde të tjera të përmirësuara të cilat marrin në konsideratë edhe risqe të tjera përveç tre risqeve të mësipërm në klasifikimin ose jo në borxh publik.

KLSH rekomandon aplikimin e standardeve ndërkombëtare për klasifikimin dhe raportimin e kontratave koncesionare/PPP, duke qenë se pesha e tyre si përqindje ndaj PBB është rritur ndjeshëm. (faqja 55)”

Këto janë vetëm disa nga gjetjet kryesore të raportit 400-faqësh të auditimit të KLSH-së. Në çdo shtet tjetër, një raport kaq shkatërrimtar do të ishte i mjaftueshëm për të rrëzuar Ministrin e Financave, nëse jo të gjithë qeverinë. Megjithatë, në Shqipëri qeveria deri më tani nuk ka denjuar t’i përgjigjet raportit dhe të njëjtën qasje, heshtjen, ka zgjedhur dhe Parlamenti, i cili është plotësisht nën kontrollin e Partisë Socialiste.

Në fakt, qeveria Rama është përgjigjur në mënyrën që ajo di më mirë: duke bllokuar emërimin e një drejtori të ri të KLSH-së me qëllimin e vetëm për të dobësuar mandatin e tij kushtetues dhe funksionimin efektiv të institucioneve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>