PD kërkon transparencë për zgjerimin e Greqisë me 12 milje

Nga Exit News
PD kërkon transparencë për zgjerimin e Greqisë me 12 milje

Partia Demokratike reagoi të shtunën për dekretin e miratuar, i cili i jep Greqisë 12 milje në detin Jon.

PD i kërkoi qeverisë që të jetë transparente “për negociata që ka bërë me Greqinë”.

“Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë, të bëjë transparencë të plotë mbi çdo veprim apo mosveprim të saj në dëm të interesave të vendit, dhe garanton çdo qytetar shqiptar se nesër në pushtet do të luftojë me forcën e ligjit, në respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ekspertizën më të mirë kombëtare e ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat legjitime të Republikës së Shqipërisë”, deklaron PD.

Të shtunën kryeministri Edi Rama hodhi poshtë  akuzat se qeveria e tij nuk po mbron territorin e vendin në rastin e shtrirjes së Greqisë në detin Jon me 12 milje detare.

Rama tha ky akt i shtetit grek është e drejta e tij dhe nuk ka lidhje me kufirin detare me Shqipërinë.

Pas lajmit për miratimin në Greqi të shtrirjes në detin Jon, LSI e cilësoi Ramën si tradhëtar.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i kërkoi atij sqarime nëse ka bërë ndonjë marrëveshje homologun grek për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë.

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri akuzoi qeverinë për pazare politike me vendin fqinj.

Miratimi i dekretit i jep të drejtë shtetit grek hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.

Ky vendim vjen pas dy muajsh ku u njoftua se marrëveshja e detit do të zgjidhej nga drejtësia ndërkombëtare.

Me 20 tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>