A do ta hajë Reforma në Drejtësi veten e saj?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
A do ta hajë Reforma në Drejtësi veten e saj?

Komentuesit politikë shqiptarë gumëzhinin më 21 maj kur ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve postuan në Twitter, me shpejtësi njëri pas tjetrit, mesazhe të koduara për reformën në drejtësi.

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim paralajmëroi “një marrëveshje pas krahësh për të vrarë reformën në drejtësi”, ndërsa ambasadori i BE-së Luigi Soreca deklaroi se “nuk është koha për të rihapur diskutimet mbi themelet e saj”.

Këto postime të ambasadorëve u pasuan nga shumë komente interpretuese, shpesh kontradiktore dhe përjashtuese me nëjra tjetërën, në varësi të anësisë politike të komentuesve.

Kryeministri Rama citoi Shekspirin, ndërsa kryetari i PD-së Basha paralajmëroi “ndryshime kushtetuese dhe ligjore” ndaj reformës në drejtësi të zbatuara nga parlamenti aktual (nga i cili ai u largua një vit më parë).

Çfarëdo që të ketë qenë motivimi pas dekalratave të Kimit dhe Sorekës është e vërtetë që Reforma në Drejtësi është nën kërcënim. Dhe, në mënyrën më ironike të mundshme, ajo po kërcënohet nga vetë suksesi i saj.

Javën e kaluar, Gjykata Speciale pezulloi nga detyra komisionerin e KPA-së Luan Daci. Daci është një nga gjyqtarët e institucionit më të lartë të vetingut KPA-së dhe gëzon status të njejtë me gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese.

Për të kuptuar arsyen e pezullimit të Dacit dhe të dënimit të tij të mundshëm për fallsifikim dokumentesh, duhet të kthehemi pas në kohë, në vitin 2017.

2017: Origjina

Më 2 qershor 2017, Komisioni i Tretë Ad Hoc parlamentar për Verefikimin e Kandidatëve të Institucioneve të Vetingut, zhvilloi seancën për vlerësimin e kandidatëve për KPA-në.

Sesioni u drejtua nga deputetja socialiste Vasilika Hysi—e cila ka qenë pedagoge e shumicës së kandidatëve, të cilët i drejtoheshin asaj me emrin “zyshe” ose “prof”— dhe anëtarët e tjerë të pranishëm ishin deputeti socialist Ervin Bushati, deputetët e PD-së Flamur Noka, Albana Vokshi, Eduard Halimi dhe deputeti i LSI-së Vangjel Tavo.

Në fillim të takimit, Noka, i cili kishte marrë pjesë edhe në takimin e parë të Komitetit të Parë Ad-Hoc dhe kishte një shikim më të mirë të kandidatëve se sa anëtarët e tjerë të komisionit, bëri një parashikim i cili u vërtetua më vonë:

“Më vjen keq të bëj parashikimin, nuk jam këtu për të bërë profetin, por po ju them: Edi Rama nëpërmjet Avokatit të Popullit me këtë listë që na ka paraqitur sot ka paracaktuar gjithçka. Produkti që do të votojë treshja e maxhorancës është ky: Albana Shtylla, anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e propozuar nga Partia Socialiste. Mbajeni mend, do të jetë fituese!

Ina Rama, prokurore politike, njeri i afërt i Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste që nuk lënë vend ku hapet një konkurs pa e futur si fanti spathi, aq është dashuria e madhe e PS-së dhe Edi Ramës për Ina Ramën, Sokol Çomo, ish-zëvendësministër i PS-së. Po e them sot, ditën që do të votojë ky komision, kjo është treshja që do të përzgjidhet nga maxhoranca. Këta do të bëjnë vetingun e sistemit të drejtësisë. E paracaktuar që ditën e parë që kanë filluar aplikimet tek Avokati i Popullit. Jua përsëris: mos e merrni si profeci, por merreni si një gjë që do të dalë, sepse është e vërtetë.”

Dhe me të vërtetë, ajo çfarë Noka parashikoi ndodhi—Shtylla, Rama dhe Çomo u zgjodhën në institucionet e vetingut nga anëtarët e shumicës së komisionit.

Kjo jep një ndjesi të atmosferës së ngarkuar politike—pas marërveshjes McAllister+, pak përpara zgjedhjeve të përgjithshme, kohë kur u kryen këto dëgjesa. Ato u mbajtën me shpejtësinë e dritës—dhjetra kandidatë që kishin aplikonin në pozicionet më të larta të drejtësisë në këtë shekull u trajtuan brenda pak orëve nga një komision i pagjumë, i shpërqendruar nga zgjedhjet që do të mbaheshin pas tre javësh dhe nën trysninë e madhe të të huajve për të realizuar sa më parë përzgjedhjen.

Edhe Luan Daci u intervistua gjatë seancës së 2 qershorit. Ai u pyet kryesisht për faktin se nuk kishte përmendur asnjë përvojë punë përpara vitit 2000 në jetëshkrimin që kishte paraqitur në Komisionin Ad-Hoc. Ja shkëmbimi që lidhet me këtë gjë gjatë intervistës:

Ervin Bushati: Datat këtu nuk janë shumë të qarta, a mund të na thoni shkurtimisht nga cili vit në cilin vit keni punuar, në çfarë pozicioni […] por nga cili vit?

Luan Daci: Unë kam punuar si avokat […] që nga data 20.03. 2000 kur kam marrë licencën e avokatit me autorizim të ministrit, zotit Ilir Panda, i cili më ka bërë edhe karakteristikën dhe për motive të aftësive të mia profesionale…Madje, zoti Panda më ka përjashtuar edhe nga provimi, duke vlerësuar aftësitë e mia morale, aftësitë profesionale, figurën time dhe më ka akorduar.

Ervin Bushati: Para kësaj date?

Luan Daci: Kam punuar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Ervin Bushati: Nuk janë datat këtu, prandaj.

Luan Daci: Janë në CV.

Vasilika Hysi: Jo… CV-ja juaj, ndryshe nga ato që po thoni, ka disa…, prandaj po ju pyesim.

Vasilika Hysi: Sa vjet keni punuar si gjyqtar dhe pse jeni larguar nga sistemi gjyqësor dhe keni kaluar avokat?

Luan Daci: …[K]am filluar në shtator të vitit 1993, fillimisht kam qenë si ndihmës gjyqtar, kur kemi dhënë diplomën para komisionit shtetëror, dy ditë pas dhënie së diplomës unë jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, madje jam emëruar edhe nënkryetar në Gjykatën e Tiranës dhe vendi për arsye ekonomike është suprimuar, nuk e di, kanë ndjekur një model tjetër, nuk kam pasur ndonjë problem, dhe deri më 24 dhjetor të vitit 1997 unë kam qenë gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ashtu sikurse po del një ligj për vetingun, atëherë doli një ligj për riorganizimin e sistemit të drejtësisë.

Vasilika Hysi: Në vitin 1997 jeni larguar, keni ikur apo ju kanë hequr?

Luan Daci: Unë kam ikur me dorëheqje, sepse nuk na lejuan të regjistroheshim.

Vasilika Hysi – Nga viti 1997-2000 me çfarë jeni marrë?

Luan Daci – Më ndonjë punë çfarë të kisha mundësi.

Pjesa kritike këtu është në pyetjen e Hysit nëse u dorëhoq apo u pushua nga gjyqtar më 24 dhjetor 1997. Nëse ai do të ishte pushuar nga puna, automatikisht do të ishte i pazgjedhshëm për pozicionin e gjyqtarit të vetingut.

Sipas ligjit të vetingut (nenit 6/1/dh) ”anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që […] ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit.”

Megjithatë, i gjithë informaconi në lidhje pozicionin e tij të mëparshëm në sistemin e drejtësisë u hoq nga jetëshkrimi i Dacit, nuk u bënë hetime të mëtejshme, dhe Daci u zgjodh në KPA.

2019: Ankesa e Sevdarit

Shkojmë përpara në shkurt 2019. KPA shkarkon anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Antoneta Sevdari, duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që e kishte konfirmuar atë në detyrë.

Në maj, Sevdari kishte paraqitur një ankesë zyrtare kundër dy gjyqtarëve të KPA-së që do të shqyrtonin çështjen e saj, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, i cili ishte edhe kryetari i trupit gjykues.

Sevdari dha prova konkrete se Daci ishte refuzuar në vitin 2016 (vetëm një vit para seancës së konfirmimit tij të në Parlament) për t’u emëruar gjyqtar i shkallës së parë, për shkak të shkarkimit të tij nga detyra me vendim të 24 dhjetorit 1997 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dokumenti që detajon shkarkimin e tij është pjesë e procesverbalit publik të KLD-së.

Si KPA-ja dhe as ONM-ja nuk pranuan të ndërmarrin ndonjë veprim, duke pretenduar se Sevdari nuk legjitimohet për të paraqitur një ankesë të tillë.

Sevdari më pas iu drejtua gjykatës më të lartë të Evropës, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke pretenduar se asaj iu mohua e drejta për një gjykim të drejtë, pjesërisht për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Dacit. GJEDNJ ka vendosur ta shqyrtojë këtë çështje.

Në nëntor 2019, themelohet Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK). SPAK është shpresa e madhe e ndërkombëtarëve; më në fund, institucioni që do të kapë “peshqit e mëdhenj” ka mbërritur.

Ky institucion është jo vetëm i përbërë nga prokurorë të kualifikuar—pavarësia e të cilëve mbrohet me ligj, të cilët kanë hequr dorë nga një pjesë e konsiderueshme e privasisë personale dhe të familjeve së tyre—për të hetuar nivelet më të larta të pushtetit, por këta prokurorë specialë kanë parë edhe shumë nga kolegët e tyre të pushohen padrejtësisht nga institucionet e vetingut, ndërkohë që të tjerë me reputacion të dyshimtë janë konfirmuar.

Në janar të vitit 2020, anëtari i KLP-së, Besnik Cani paditi anëtarin e KPA-së Luan Daci në SPAK, bazuar në të njëjtat argumente të bëra më parë nga Sevdari: ai ishte larguar nga funksioni i tij si gjyqtar, dhe ishte zgjedhur në shkelje të ligjit  të vetingut, duke falsifikuar dokumentat dhe duke e fshirë nga jetëshkrimi i tij këtë fakt.

SPAK-u filloi menjëherë hetimin dhe zbuloi atë që ishte e qartë: Daci është zgjedhur në bazë të të dhënave fallso dhe për këtë arsye ai tashmë është pezulluar nga KPA-ja.

Nëse ai dënohet për falsifikim të dokumenteve, dhe nëse largohet nga pozicioni i tij si gjyqtar i KPA-së, kjo do të jetë një fitore për Sevdarin dhe do të sigurojë një argument të fortë që KPA nuk është me të vërtetë një “gjykatë e pavarur dhe e paanshme”, siç përcaktohet në neni 6(1) i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Nëse Sevdari fiton çështjen në Strasburg, dhe KPK-ja dhe KPA-ja konsiderohen se nuk janë gjykata të pavarura dhe të paanshme, i gjithë baza dhe arsyetimi i Reformës në Drejtësi do të ketë rënë, dhe procesi do të ketë dështuar.

Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e pushuar do të kenë të drejtë të rikthehen, dhe pretendimet financiare kundër shtetit shqiptar do të jenë të konsiderueshme.

Ndërkombëtarët do ta kenë humbur edhe atë pak besueshmëri që ata mendojnë se kanë.

Për shkak të çështjes së Sevdarit në Gjykatën e Strasburgut, stekat e gjykimit në çështjen Daci tani janë bërë shumë më të larta se sa ai i një vendimi të thjeshtë për karrierën e një njeriu të vetëm.

Nëse Daci pushohet nga puna dhe merr një dënim penal, fitorja e Sevdarit në Strasburg ka shumë mundësi të ndodhë.

Nëse ai del i pafajshëm, qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar mund të marrin frymë të lehtësuar.

Kështu, SPAK dhe Gjykata Speciale Anti-Korrupsion, dy institucionet më të çmuara dhe më premtuese të Reformës në Drejtësi, tani përbëjnë rrezikun më të madh për mbijetesën e saj.

Ka një thënie të famshme: Revolucioni ha bijtë e vet. Nëse drejtësia do të triumfojë, Reforma në Drejtësi do të bjerë me të drejtë pre e vetvetes. Por nëse drejtësia do të mohohet edhe një herë, Reforma në Drejtësi do t’i shpëtojë urisë së vetë saj—të paktën për tani.

Së shpejti, do të shohim nëse Reforma në Drejtësi është me të vërtetë ai revolucioni për të cilin pretendohet se është.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>