Mbyllet vetingu i kandidatëve për KLGJ, konfirmohen në detyrë mjaftueshëm gjyqtarë

Mbyllet vetingu i kandidatëve për KLGJ, konfirmohen në detyrë mjaftueshëm gjyqtarë

Me vendimin për shkarkimin e Luan Dervishit, dhënë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, është mbyllur zyrtarisht raundi i parë i vetingut për gjyqtarët, kandidatë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në përfundim të procesit, mjaftueshëm kandidatë për në KLGJ, kanë kaluar raundin e parë të vetingut dhe janë konfirmuar në detyrë nga KPK. Megjithëse për disa prej kandidatëve, Komisionerët Publikë kanë apeluar vendimin në KPA dhe kanë kërkuar shkarkimin, nuk ka pengesa ligjore për formimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Sot KPK-ja dha vendimin dhe për kandidatin e fundit për KLGJ, Luan Dervishi, njëkohësisht dhe kandidat për në Gjykatën Kushtetuese.

Luan Dervishi, gjykatës i Apelit Shkodër, u shkarkua nga detyra pasi nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe dyshohet për përfshirje në korrupsion.

Sipas Ligjit 115/2016 për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, nenit 7, pika 1, KLGJ-ja duhet të ketë në përbërje 6 gjyqtarë, të shpërndarë si më poshtë:

  1. a) tre prej të zgjedhurve duhet të jenë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre duhet të jetë gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;
  2. b) dy prej të zgjedhurve duhet të jenë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre duhet të jetë gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;
  3. c) një prej të zgjedhurve duhet të jetë gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Aktualisht, kandidatët e KLGj-së që kanë kaluar vertingun dhe janë konfirmuar në detyrë nga KPK-ja janë:

Gjyqtarë të shkallës së parë: Manjola Xhaxho (Tiranë), Marçela Shehu (Kurbin), Alma Brati (Tiranë), Astrit Faqolli (Tiranë), Brunilda Kadi (Tiranë) dhe Dritan Hallunaj (Gjykata e Krimeve të Rënda). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar tri vende në KLGJ.

Gjyqtarë të apelit: Ilir Toska (Tiranë), Nertina Kosova (Apeli i Krimeve të Rënda), Brikena Ukperaj (Vlorë). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar dy vende në KLGJ.

Gjykata e lartë: Medi Bici (Tiranë). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar një vend në KLGJ.

Për tre prej dhjetë këtyre gjyqtarëve, (Alma Brati, Astrit Faqollin dhe Nertina Kosovën) Komisioneri Publik ka apeluar vendimin në KPA dhe kërkon shkarkimin e tyre, por KPA-ja ende nuk ka vendosur një datë për shqyrtimin e ankimimeve.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>