David McAllister, zëvendëspresidenti i Partive Popullore Evropiane, pjesë e së cilave është dhe Partia Demokratike, do të vizitojë nesër Tiranën me qëllim zgjidhjen e krizës politike mes palëve.
David McAllister, i ftuar nga Kryeministri Rama e Kreu i Kuvendit Meta si ndërmjetës për bisedimet me kreun e PD-së Lulzim BAsha, do të shoqërohet në takime me zyrtarët e lartë nga eurodeputeti Knut Fleckenstein.
Deri më tani, dihet se McAllister e Fleckenstein do të takojnë Edi Ramën e Ilir Metën në një takim të përbashkët, e më pas do të bisedojnë me kreu e opozitës Lulzim Basha.
Gazeta Panorama bën me dije se sipas burimeve të saj kanë hartuar një draft marrëveshje e cila i është dërguar dhe Zotërinjve Rama, Meta e Basha.
Nëse marrëveshja e propozuar do të pranohet nga tre liderët politikë, atëherë do të kërkohet një takim i përbashkët për të zyrtarizuar mërrëveshjen.
Por Kreu i PD-së Lulzim Basha dy ditë më parë, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se deklaratat se qeveri teknike nuk do të ketë, po dështon negociatat.
“Me qëndrimet e tij Edi Rama ka paralajmëruar qartësisht dështimin e negociatave që presim të martën. Ai po e thotë qartë se për karriken time, për pushtetin tim, nuk i hap rrugë zgjidhjes që kërkojnë qytetarët dhe opozita. Edi Rama ka paralajmëruar këto 48 orë dështimin e negociatave akoma pa mbërritur ndërmjetësit evropianë.”
Gjatë protestës së sotme, po ashtu, Zoti Basha ritheksoi se për opozitën sigurimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme nga një qeveri teknike janë kusht i panegociueshëm.
Ndërkohë kryeministri Rama vazhdon i palëkundur qëndrimin e tij. Pak minuta pas mbarimin të protestës së opozitës, Zoti Rama në postimin e radhës në Facebook, theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor.
Po sot nga Apollonia, Zoti Rama tha se “nuk është koha për të bllokuar rrugët e Shqipërisë, por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit shtet modern demokratik e evropian.”