Një ditë pas fillimit të punimeve të legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë u publikua edhe dekreti i Presidentit të Republikës Ilir Meta mbi konstituimin e qeverisë së re.
Me anë të dekretit, presidenti Ilir Meta ka emëruar Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë, me kërkesë të shumicës socialiste dhe bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, të shpallur nga KQZ-ja.
Më 10 shtator deputetët e dalë nga zgjedhjet bënë edhe betimin dhe marrjen formale të detyrës së ligjvënësit në Kuvend, pas verifikimeve dhe puiblikimit të raportit nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve.
Njëkohësisht, u votua Lindita Nikolla në postin e kreut të Kuvendit dhe u caktuan mes partive më të mëdha edhe krerët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.
Dekreti i Metës vjen pas muajsh përplasjes, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, mes Presidentit dhe shumicës socialiste, e cila votoi me shumicë në qershor për shkarkimin e tij. Ky vendim pret të konfirmohet ose të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese.