Si po ecën procesi i vetingut për kandidatët e KLP-së e KLGJ-së – Exit shpjegon

Si po ecën procesi i vetingut për kandidatët e KLP-së e KLGJ-së – Exit shpjegon

Dje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimeit (KPK) vendosi të konfirmojë në detyrë Prokuroren e Tiranës Antoneta Sevdari.

Me këtë konfirmim, mund të duket se 6 nga 6 kandidatët e nevojshëm për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) janë verifikuar, por jo.

Sipas Kushtetutës, KLP-ja do të ketë 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve do të jenë nga radhët e prokurorëve, ndërsa pesë anëtarët e tjerë nga jashtë sistemit do të jenë respektivisht— 2 anëtarë nga trupa e avokatëve; 2 anëtarë nga trupa e pedagogëve të drejtësisë dhe 1 anëtar nga radhët e shoqërisë civile. Këta të fundit janë zgjedhur më hëret nga Parlamenti pas tre raundeve votimi. Ndërkohë 6 anëtarët nga radhët e prokurorëve do të zgjidhen nga prokuroritë e të gjitha niveleve.

Zgjedhja e anëtarëve të Këshilli të Lartë Gjyqësor (KLGJ) është e njëjtë si për KLP-në, por në këtë rast kandidatët duhet të jenë nga gjykatat e të gjithë niveleve.

Sidoqoftë, këta 6 anëtarë nuk mund të jenë vetëm magjistratë; ata duhet të vijnë nga një pjesë e veçantë e aparatit gjyqësor. Sipas Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, anëtarët magjistratë të KLP dhe KLGJ përcaktohen si më poshtë:

Kuadri ligjor për KLP-në

Neni 105/1

“1. Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas raportit të mëposhtëm:

a) tre prej të zgjedhurve janë prokurorë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë gjykatës të shkallës së parë jashtë Tiranës;

b) dy prej të zgjedhurve janë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës;

c) një prej të zgjedhurve është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.”

Gjendja aktuale nga procesi i vetingut për KLP-në

Deri tani janë konfirmuar në detyrë katër prokurorë të shkallës së parë: Dritan Prençi (Kukës, përkohësisht i emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë) Vate Staka (Shkodër), Arta Marku (Shkodër) dhe Antoneta Sevdari (Tiranë). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar tri vende në KLP.

Dy prokurorë të apelit nuk e kanë kaluar vetingu: Besa Nikëhasani (Shkodër) dhe Luan Kaloçi (Tiranë). Mbeten ende për të përballur me KPK-në: Arben Dopallaj (Shkodër), Besnik Muçi (Krimet e Rënda) dhe Gentjan Osmani (Krimet e Rënda). Në rast se prokurori Dollapaj dhe të paktën njëri prej Muçit ose Osmanit nuk kalojnë vetingun, duhet të hapet një raund i ri aplikimesh për të plotësuar pikën b të nenit 105.

Nga Prokuroria e Përgjithshme, deri tani janë konfirmuar dy prokurorë, Anila Leka dhe Kostaq Beluri, ndaj dhe për këtë pozicion ka mjaftueshëm kandidatë të kualifikuar.

Formimi sa më shpejtë i KLP-së varet pikërisht nga realizimi i numrit të nevojshëm të kandidatëve nga prokuroritë e apelit jashtë Tiranës.

Kuadri ligjor për KLGJ-në

Neni 7/1

“Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas raportit të mëposhtëm:

a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;

b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;

c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.”

Gjendja aktuale nga procesi i vetingut për KLGJ-në

Deri tani janë konfirmuar tre gjyqtarë të shkallës së parë: Manjola Xhaxho (Tiranë), Marçela Shehu (Kurbin) dhe Alma Brati (Tiranë). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar tri vende në KLGJ.

Deri tani janë konfirmuar dy gjyqtarë nga një gjykatë apeli, Ilir Toska (Tiranë) dhe Nertina Kosova (Krimet e Rënda). Nuk ka kandidatë të tjerë nga gjykatësit e apelit, që do të thotë se një pozicion në KLGj (ai i rezervuar për gjykatën e apelit jashtë Tiranës) nuk mund të përmbushet me grupin aktual të kandidatëve.

Gjyqtari i vetëm i apelit jashtë Tiranës, Besim Trezhnjeva (Durrës), u shkarkua nga KPK.

Aktualisht janë dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë në listën e kandidatëve të KLGj, Artan Zeneli dhe Medi Bici. Zeneli u shkarkua, ndërsa Bici do të përballet me KPK-në më 30 korrik.

Një raund i dytë aplikimesh do të duhet të hapet për KLGj-në me qëllim që të gjehet një gjykatës apeli jashtë Tiranës. Për këtë arsye është e pamundur që KLGj të formohet së shpejti, ndoshta as brenda këtij viti. Nëse Medi Bici nuk arrin të kalojë vetingun, do të duhet të gjendet edhe një kandidat tjetër nga Gjykata e Lartë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>