Si ka ecur procesi i vetingut deri më tani?

Si ka ecur procesi i vetingut deri më tani?

Pas një fillimi të ngadaltë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rinisur punën me shpejtësi duke zhvilluar më shumë seanca rivlerësimi me gjyqtarë e prokurorë se më parë.

Pas një ritmi fillestar të ngadalshëm me një deri në dy seanca në javë dhe një pushimi prej më shumë se dy javësh në maj, KPK ka zhvilluar në javët e fundit 3-5 seanca në javë.

Javën e kaluar Admir Thanza, Kostaq Beluri, Adriatik Cama, Gani Dizdari dhe Tom Ndreca u paraqitën para trupave gjykuese të KPK-së, ndërsa këtë javë janë caktuar seanca dëgjimore për Artan Zenelin, Nertina Kosovën, Antoneta Sevdarin, Arben Nelën dhe Ervin Metallën.

Progresi i KPK-së është gjithashtu i dukshëm në numrin e vendime të shpallura, që po ndjekin ritmin e seancave dëgjimore.

Duhet theksuar megjithatë se disa nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga detyra, e kanë apeluar vendimin e KPK-së në Komisionin e Apelimit ndaj këto shifra nuk janë përfundimtare.

Deri më tani, KA-ja ka konfirmuar vetëm vendimin e KPK-së për ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, verifikimi i të cilit u ndërpre dhe vendimin e KPK-së për prokurorin Sulejman Tola, i cili dha dorëheqjen para fillimit të vetingut.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha e Fatos Lulo dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Besim Trezhnjeva i kanë apeluar shkarkimet e tyre në KA, por dosjet e tyre ende nuk janë shqyrtuar.

Progresi i procesit të vetingut deri më tani

Aktualisht, KPK ka hapur 175 dosje prokurorësh e gjyqtarësh, nga të cilat 36 raste janë përfunduar. Nga këto raste, 39 përqind e magjistratëve e kaloi vetingun, ndërsa 28 për qind u shkarkuan.

Bazuar në këto shifra, ka mundësi që të ketë mjaftueshëm kandidatë të kualifikuar për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Këshillin e Lartë Prokurorial (KLP).

Megjithatë, ky skenar duket shumë më pak i mundshëm për Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë (KED). Nga kandidatët për KED, vetëm tetë kanë mbetur pa iu nënshtruar ende procesit të vetingut. Nga këta tetë, vetëm një tjetër mund të shkarkohet, pasi nëse shkarkohen më shumë do të jetë e nevojshme hapja e një raundi të ri aplikimesh, gjë që do të çojë në vonesa të mëtejshme të ngritjes së KED-së e më pas riformimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese aktualisht është jofunksionale pasi vetëm 2 nga 9 anëtarë janë rikonfirmuar në detyrë. Në rast se Kolegji  i Apelimit nuk rrëzon disa nga vendimet e KPK-së dhe rikthen në detyrë gjyqtarët, Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa kuorumin e nevojshëm deri sa KED të jetë plotësisht e formuar dhe të zgjedhë kandidatët e rinj.

Si një mënyrë për të dalë nga ky vakum ligjor, Delegacioni i BE në Tiranë propozoi të anashkalojë verifikimin e anëtarëve të KED-së. Një veprim i tillë do të prishte logjikën e të gjithë procedurës së vetingut dhe reformës në drejtësi, që punon nga lart poshtë, duke garantuar që nivelet më të larta të gjyqësorit (KLP, KLGj, KED) të verifikohen para se të emërojnë magjistratët e rinj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>