Kapja e shtetit – Rasti i Teatrit Kombëtar

Nga Rezearta Çaushaj
Kapja e shtetit – Rasti i Teatrit Kombëtar

Sipas qeverisë socialiste Rama, planet për prishjen e ndërtesës së vjetër të Teatrit të vjetër Kombëtar erdhën në jetë papritur me një propozim të pakërkuar koncesionar të paraqitur nga një zhvillues privat, Fusha shpk.

Kompania, e cila kishte blerë një copë të vogël truall në atë zonë, ofronte të ndërtonte me fondet e saj një ndërtesë të re teatri, si pjesë e një blloku kullash tregtare, me kusht që në këmbim të investimet të merrte falas një sipërfaqe të madhe toke publike që rrethonte teatrin.

Ishte një propozim i pakërkuar “i nxitur”—siç ka pohuar pronari Zoti Shkëlqim Fusha — nga shqetësimi i Fushës për “gjendjen e mjeruar në të cilin ishte katandisur ndërtesa”.

Këtë pretendim të tij e përforcoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, i cili pranoi para më shumë se një viti se “një propozim konkret është dërguar nga investitori potencial Fusha sh.p.k, që ka kërkuar gjithashtu rregullimin e kësaj marrëdhënie nëpërmjet një ligji të posaçëm të miratuar nga parlamenti i Republikës së Shqipërisë”.

Dhe sa i volitshëm ishte ky ligj me porosi!—shumica e tokës së lakmuar ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe për ta kaluar atë në pronësinë e një zhvilluesi privat do të duhej një vendim me shumicë prej tre të pestat të anëtarëve në Këshillin Bashkiak, vota të cilat Zoti Veliaj nuk i kishte.

Për të anashkaluar këtë detyrim të ligjit të qeverisjes vendore, Kryeministri dhe kryebashkiaku vendosën që të drejtën e shpronësimit t’ia hiqnin Këshillit Bashkiak dhe t’ja kalonin Kuvendit.

Në një rast të rrallë efikasiteti, brenda pak javësh, një mori institucionesh publike, përfshi bashkinë Tiranë dhe Minsitrine e Kulturës, sajuan dokumentet dhe raportet e nevojshme për të legjitimuar këtë praktikë të paprecedentë dhe për t’ja dërguar projekt-propozimin Këshillit të Minsitrave.

Institutit të Ndërtimit—institucion qeveritar—iu deshën vetëm 14 ditë për të vlerësuar gjendjen teknike të ndërtesës dhe përfundimi i tyre ishte drastik—sipas tyre teatri është në një gjendje shumë serioze dhe kostoja e riparimit është “disa herë më e lartë se kostoja minimale fiskale”.

“Riparimi i objektit dhe sjellja e saj në kushtet teknike të sotme është e vështirë”, thuhet në raportin e inspektimit. “Është një investim me kosto të lartë.”

Iu desh Ministrisë së Kulturës një javë për të vendosur se ata nuk mund të përballonin as restaurimin e as ndërtimin e një teatri të ri dhe një partneritet publik-privat ishte i nevojshëm. Më tej, Ministrisë iu desh vetëm një ditë për të bërë bashkë një ekip, i cili po atë ditë prodhoi një “memo”, e cila e konsideronte propozimin për koncesion një ide të shkëlqyer dhe, prandaj, duhet të hartohej e dërgohej sa më shpejt në Parlament një projektligj që duhej miratuar me procedurë të shkurtuar.

Projektligji në fjalë ishte gati për t’u diskutuar brenda pak javësh.

Ky ishte momenti që ngjalli kundërshti të fortë nga artistët, aktivistët dhe qytetarët që u bënë bashkë për të refuzuar prishjen e teatrit.

Ata u përballën me një fushatë agresive fyerjesh personale, shtrembërimit të informacionit, denigrimit, strategjive të ndarjes dhe ofertave për të blerë heshtjen e tyre.

Njeriu i caktuar për t’u marrë me një situatë të tillë ishte kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Ai luajti me raportin e Institutit të Ndërtimit, i cili ekzagjeronte rëndë rrezikun që ndërtesa do të shembej dhe lëshonte asbest, duke vënë në rrezik jetën e artistëve.

Ai gjithashtu propagandoi me të madhe tezën e diplomës së dy studentëve italianë të arkitekturës, duke e shitur atë në publik si “një raport arkitektësh italianë”, i cili sugjeronte se teatri nuk ishte ndërtuar me qëllim të zgjaste aq shumë.

Në atë që u bë një shfaqje publike e përditshme për të manipuluar opinionin publik për mbështetje, Kryetari zbatoi një fushatë propagande, e cila ndër të tjera u bazua në:

  • botimin e fotografive të pjesëve të amortizuara të teatrit, veçanërisht të murve që kanë qenë të pamirëmbajtura për dekada;
  • përçarjen e artistëve që mbronin ndërtesën e tanishme, dhe joshjen e aktorëve popullorë, për t’u deklaruar pro prishjes së teatrit;
  • propagandimin e pohimeve të disa artistëve që shpreheshin direkt apo indirekt pro prishjen së ndërtesës, madje duke arritur deri në falsifikimin e emrave të artistëve në një antipeticion kundër një peticioni artistësh kundër projektit të Veliajt;
  • hapjen me shumë bujë të teatrit të adoptuar ambulant Art Turbina—një magazinë e përshtatur shpejt e shpejt për t’u kther në një sallë shfajesh, pa asnjë standard për një të tillë—duke e paraqitur atë si shembull të asaj që qeveria kishte ndërmend të bënte “për aktorët”;
  • dekurajimin e qytetarëve për t’ju bashkaur kësaj kauze duke e shpallur atë vetëm si një çështje artistësh dhe jo një çështje publike dhe politike, në thelb të së cilës ishte tjetërsimi i pasurive publike në favor të klientëve, duke arritur deri në pretendimin absurd se ata që nuk ishin aktorë apo nuk kishin ndjekur shfaqje në atë sallë nuk kishin të drejtë të flisnin për këtë çështje.

Ndërkohë aktorë, qytetarë, arkitektë, aktivistë dhe gazetarë formuan Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, dhe kanë protestuar protestuar për mbrotjen e ndërtesës, pa ndalim, çdo ditë që nga marsi i vitit 2018.

Shpejt debati kaloi nga meritat e prishjës apo restaurimit të ndërtesës së tanishme në kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, i cili emërtonte në mënyrë specifike kompaninë Fusha shpk, si përfituesen e pronës pbulike dhe zhvilluesen pa garë të gjithë zonës pranë teatrit.

Sikurse u argamentua fillimisht nga Exit.al ky ligj jo vetëm shkelte Kushtetutën duke i marrë pushtetit lokal kompetencat, ligjet e prokurimit publik dhe privatizimit, por ai shkelte edhe Marrëveshjen e Stabilizimit-Asociimit me Bashkimin Europian.

Por Gjykata Kushtetuese ndërkohë ishte jashtë funksionit, ndaj ky ligji i posaçëm klientelist ishte i paprekshëm.

Megjithëse qeveria refuzoi të bëjë publike të dhënat në lidhje me pronësinë e tokës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) bëri të njohur se 90 për qind e truallit është pronë publike, dhe se Fusha shpk kishte si qëllim të ndërtonte 6 kulla një pjesë e të cilëve edhe mbi tokën aktuale të teatrit.

Pas këtyre fakteve, qeveria u përpoq të largonte vëmendjen duke bërë publik një imazh të projektit të ndërtesës së re duke pëdorur emrin e projektuesit, arkitektit të famshëm Bjarke Ingels.

Por edhe kjo linjë propagande solli probleme të reja pasi, sërish, Exit.al zbuloi se BIG, firma e e Ingelsit, pretendonte se e kishte hartuar projektin pasi kishte fituar një “konkurs për Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe Masterplanin “.Nga ana tjetër, BIG, në faqen e saj në rrjet bënte të njohur se klienti i saj ishte Fusha shpk dhe jo Bashkia Tiranë apo qeveria. Nga shkujdesja BIG zbuloi se ishte duke marrë në këmbim gjithë truallin publik në rreth “9300 metra katror”.

Pas këtyre zhvillimeve, Komisioni Europian dërgoi 15 pyetje për qeverinë shqiptare në lidhje me ligjin “e veçantë”, i cili zgjedhjen pa garën të një kompani private për realizimin e një projekti publik.

Pas përgjigjes së qeverisë shqiptare, Komisioni pohoi se, ndonëse nuk mund të vendoste për pajtueshmërinë e “ligjit Fusha” me Kushtetutën Shqiptare, duhej që qeveria të zgjidhte me garë të hapur zhvilluesin, përmes kritereve të qarta, transparente dhe jodiskriminuese.

Nën trysninë e KE-së, qeveria e ndryshoi projektligjin, i cili u miratua në Parlament me procedurë të përshpejtuar, mes protestave të vazhdueshme.

Por ligji i ri nuk ndryshon në thelb nga i vjetri, pasi kriteret e vendosura për garën nuk garantojnë konkurrencën, por thjesht organizojnë një proces fiktiv “konkurrence” për të përzgjedhur sërish kompannë e paracaktuar Fusha shpk .

Për të shmangur çdo suprizë të papritur, ligji ka përcaktuar se ankesat në procedurën e tenderimit nuk do të shqyrtohen në rrugën standarde ligjore të përcaktuar në Ligjin mbi Prokurimet Publike, por do të shqyrtohen drejtpërdrejt nga Kryetari Erion Veliaj, të cili i është dhënë e drejta e vetos për përzgjedhjen e fituesit.

Presidenti nuk pranoi të dekretonte ligjin e ndryshuar, duke konstatuar disa shkelje të Kushtetutës, përfshi shkeljen e parimit të autonominë lokale, dhe të parimit të sigurisë juridike pasi shkakton “pasiguri në lidhje me të drejtat e qytetarëve ndaj pronës” duke qenë se nuk është bërë vlerësimi i verifikueshëm i pasurive të paluajtshme të përfshira në transaksionin”.

Megithatë, Kuvendi e rrëzoi dekretin e Presidentint dhe ligji hyri në fuqi. Bashkia Tiranë ndërkohë ka hapur “garën” për përzgjedhjen e kompanisë zhvilluese, që çon vetëm në një emër, ndërsa Kryeminsitri dhe Kryebashkiaku po bëjnë propagandë të ethshme për të përgatitur opinionin poublik për prishjen e ndërtesës së teatrit.

Është e gjitha një histori e pastër e kapjes së shtetit: hartimi i një ligji special antikushtetues për përvetësimin e një pasurie publike nga një kompani private, ndërkohë që i gjithë shteti përveçse zbatues i skemës së përvetësimit të paligjshëm, bën edhe propagandistin në favor të interesit privat kundër atij publik.

__________

Shkrimi është shkruar dhe botuar nga Fondacioni Heinrich-Böll. Varianti i mësipërm është një përmbledhje e shkurtuar nga vetë autorja për Exit.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>